Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të rregullt për vitin 2026, nën udhëheqjen e kryesuesit të Kuvendit, Fatmir Iska.
Në seancën e muajit shkurt morën pjesë të gjithë 27 kuvendarët, si dhe kryetari i komunës Smajl Latifi, nënkryetari Betim Zllanoga, drejtorët e drejtorive komunale, zyrtarë komunalë, përfaqësues të mediave monitoruese, si dhe përfaqësues të Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe të LMT-së.
“Sot, e mërkurë, 25 shkurt 2026, u zhvillua seanca e dytë e rregullt për këtë vit kalendarik, me pjesëmarrjen e plotë të anëtarëve të Kuvendit dhe përfaqësuesve institucionalë”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Rendi i ditës përfshinte 19 pika, ndër to shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar, formimi i komisioneve komunale të aksionarëve për ndërmarrjet publike lokale “KRM Ekoregjioni” dhe “Stacioni i autobusëve”, caktimi i komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të institucioneve edukativo-arsimore, si dhe miratimi i Planit të Punës së Kuvendit Komunal për vitin 2026. Të gjitha pikat e rendit të ditës u votuan nga anëtarët e kuvendit, disa me shumicë votash dhe disa unanimisht.
Po ashtu, u shqyrtuan dhe miratuan vendime që kanë të bëjnë me dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit për banim social, emërimin e delegatëve për përfaqësim në Asociacioni i Komunave të Kosovës, si dhe ndryshime e plotësime të disa vendimeve të mëhershme.
Në mbledhje u trajtua edhe raporti vjetor i punës së Kuvendit Komunal për vitin 2025, informata e KKSB-së për vitin 2025, si dhe kërkesa e Kompanisë Regjionale për Mbeturina “Ekoregjioni” për ngritjen e tarifës së shërbimit të mbeturinave.
“Kuvendarët diskutuan për secilën pikë të rendit të ditës, ndërsa të gjitha pikat u votuan, disa me shumicë votash dhe disa unanimisht”, theksohet në njoftim.
Sipas komunikatës, në këtë mbledhje aktivë në diskutime ishin kuvendarët Defrim Kafexhiu (LVV), Lirigzon Kastrati (LDK), Enis Durguti (LDK), Berat Duraku (AAK), Jusuf Dërmala (LVV), Vlora Vuçiterna (LVV) dhe Mentor Veliu (AAK).
