Në shënimin e ditës së demokracisë, Kuvendi i Kosovës, sot ka mbajtur debatin publik “Transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në Kuvend” si dhe u prezantua Strategjia për informim dhe komunikim, raporton Ekonomia Online.
Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se Kuvendi i Kosovës përmes këtyre angazhimeve dhe aktiviteteve, synon të rrisë kulturën parlamentare dhe besimin se ky Kuvend punon.
“Ky aktivitet shënohet sot pa pjesën politike të kuvendit dhe është pak më i zbehur sepse na mungon pjesa e deputetëve. Mungesën e tyre sot si administratë provojmë punën që e bëjmë si administratë. Kuvendi përmes këtyre angazhimeve synon të rrisë kulturën parlamentare dhe besimin se ky kuvend punon. Organizatat jo qeveritare përmes hulumtimeve dhe monitorimeve e bëjnë të mundur që ne të rangohemi shumë lartë karshi kuvendeve tjera të Ballkanit”, tha Krasniqi, raporton EO.
Drejtor i NDI-së ,Alexander Chavarria, tha se ajo çka është me rëndësi për shënimin e kësaj dite, është të dimë se si të kyçemi në proceset e vendimmarrjes.
“Si pjesë e vetëdijesimit publik duhet të mendojmë që demokracia është për gjithë individët. Si pjesë e NDI duke shënjuar këtë ditë, e shoh mbështetjen e shumë të rinjve që janë të përfshirë në politikë në shumë forma të reja dhe projekte entuziaste dhe në Kosovë jemi interesuar shumë që të promovojmë pjesëmarrjen publike. Është shumë me rëndësi që të dimë se si duhet të jemi pjesë e vendimmarrjes. Mendoj që është shumë e rëndësishme të theksojmë se nuk duhet vetëm të përgatisim një ditë të aktiviteteve por duhet të merremi me transparencë gjatë gjithë vitit”.
Ndërsa prezantimi i Strategjisë për informim dhe komunikim, të cilin e prezantoi, Drejtori i Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, Musli Krasniqi, pati disa objektiva kryesore.
Sa i përket objektives së fundit aty u sugjerua të promovohet intensifikohet roli i kuvendit në nivelet parlamentare ndërkombëtare, në disa veprime specifike si: Fushata informuese për ngritjen e vetëdijes lidhur me procesin e integrimit evropian; Përgatitja dhe vendosja e këndit të BE-së, në një kënd informativ rreth BE-së dhe procesit të integrimit evropian.
Këtë vit Kuvendi i Kosovës sa i përket transparencës dhe publikim të raporteve është ranguar i dyti në rajon.
Kjo u bë e ditur në Raportin e hapjes dhe qasjes së Kuvendit në krahasim me Rajonin, raport ky që u prezantua nga Blerina Ramaj, menaxhere e projektit ActionSEE, Open Data Kosova, raporton EO.