Kuvendi Komunal i Rahovecit ka mbajtur sot mbledhjen e tetë të rregullt për këtë vit kalendarik, ku u shqyrtuan dhe u miratuan disa vendime me rëndësi për komunën, si dhe u zhvilluan diskutime mbi çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Në këtë mbledhje, kuvendarët fillimisht shqyrtuan dhe miratuan procesverbalin nga mbledhja e kaluar, ndërsa më pas adresuan pyetje e komente për çështje të ndryshme komunale, të cilave iu përgjigj kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Gjatë rendit të ditës, u shqyrtua dhe u miratua vendimi për dhurimin e laptopëve për anëtarët e Kuvendit Komunal, si dhe vendimi për miratimin e deklaratës për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave në politikë dhe në jetën publike. Po ashtu, u prezantua dhe u miratua Plani i Veprimit për Zbatimin e Rekomandimeve të ZKA-së për vitin 2024.
Mbledhja gjithashtu trajtoi informatën për gjendjen e mbeturinave në komunën e Rahovecit, si dhe raportin rreth aktiviteteve të mbajtura për nder të Muajit të Mërgimtarëve për vitin 2025. Në fund, kuvendarët shqyrtuan raportin për zbatimin e Planit të Integritetit për periudhën janar-qershor 2025.