Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është aprovuar Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.
Me këtë rast, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka theksuar se aprovimi i këtij projektligji është i një rëndësie të veçantë sepse mënjanon ndërhyrjen politike në ekzekutimin e sanksioneve penale.
“Përmes këtij projektligji dëshmojmë se vërtet jemi për reforma, sundim të ligjit dhe për sistem mbi vlerat dhe parimet ndërkombëtare”, theksoi ministrja Hoxha.
Me theks të veçantë, Ministrja vuri në dukje ndryshimin e nenit 94 të ligjit, sipas të cilit, Ministri si i emëruar politik, kishte mundësi të pezulloj ekzekutimin e dënimit dhe është vlerësuar si mundësi për ndërhyrje politike në drejtësi.
“Kjo çështje tashmë është ndryshuar dhe një mundësi e tillë i është bartur gjykatës si institucion kompetent për çështje të tilla, dhe kjo konsiderojmë se pos që është në harmoni me parimet kushtetuese, është edhe konform standardeve ndërkombëtare, si dhe është edhe një hap i rëndësishëm në drejtim të ndarjes së pushteteve, ku gjykata vendos për dënimin dhe për mundësinë e pezullimit, kurse Ministria e Drejtësisë vetëm e bën ekzekutimin e vendimeve të tilla”, theksoi ministrja Hoxha.
Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, ka filluar të zbatohet nga viti 2013 dhe gjatë zbatimit të tij, janë hasur disa pengesa dhe vështirësi të cilat përmes këtij projektligji Ministria e Drejtësisë kishte synim eliminimin e mangësive për ekzekutimin e sanksioneve penale.
Projektligji përmban dispozitat që i referohen çështjes së lirimit me kusht, duke përfshirë përbërjen e Panelit për lirim me kusht, si dhe mundësinë e atakimit të vendimit të panelit, Përkujdesjes shëndetësore për të dënuarit, Dispozitat që i referohen pushimit në raste të jashtëzakonshme, Pezullimit të ekzekutimit të dënimit me burgim për arsye shëndetësore, Lirimi i parakohshëm i të dënuarit si dhe harmonizimi i dispozitave të këtij projektligji me reformat që parasheh ligji për kundërvajtje.