Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë votash një rezolutë në mbështetje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila e obligon Kuvendin që brenda gjashtë muajsh të nxjerrë ligj për vlerat e UÇK-së.
Pas debatit parlamentar, që nisi dje, për vlerat e UÇK-së në raport me situatën e krijuar, me shumicë votash (61 vota për, dhe 11 abstenime) u mbështet rezoluta e harmonizuar nga grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nisma.
Rezoluta nuk u votua nga deputetët e Vetëvendosjes.
Kjo rezolutë erdhi si rezultat i debatit të gjatë parlamentar ku deputetët shprehën pakënaqësi për dënimin e “Grupit Drenica”.
Kjo rezolutë përmban këto pika:
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Duke u nisur nga respektimi i lartë i luftës së UÇK-së për liri dhe pavarësi,
Duke besuar në luftën e drejtë të UÇK-së të luftëtarëve dhe komandantëve të saj,
Të përkushtuar për ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratik,
Të indinjuar nga tendenca për inkriminim dhe padrejtësi ndaj vlerave të luftës dhe luftëtarëve të UÇK-së, pas debatit të zhvilluar në seancë të jashtëzakonshme, më 27 tetor 2016, nxjerr këtë:
REZOLUTË
• Lufta çlirimtare e Kosovës,e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me qëllim të çlirimit të Kosovës dhe sjelljes së lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës, me karakter mbrojtës dhe çlirimtar, duke e respektuar të drejtën dhe standardet më të larta të luftës, e drejtuar ekskluzivisht kundër forcave ushtarake, policore dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e cila mbrohet dhe çmohet nga çdo qytetar dhe institucion i Republikës së Kosovës;
• Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me sakrificën, angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar, në luftën çlirimtare të Kosovës, ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës dhe në këtë drejtim gëzojnë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi;
• Republika e Kosovës është e përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, dhe në këtë drejtim çdo tendencë e kujdoqoftë që ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ndërmarrë masa që janë në kundërshtim me parimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të saj në fuqi dhe për motive jashtë sistemit të drejtësisë, janë të papranueshme;
• Sikur çdo qytetar i Republikës së Kosovës, edhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, dhe këto të drejta mund të kufizohen vetëm me ligj dhe vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që në një shoqëri të hapur dhe demokratike të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi;
• Kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, sikur për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, ashtu edhe për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të bëhen për qëllime të tjera, përveç atyre për të cilat janë përcaktuar;
• Kufizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë nuk bën ta mohojë kurrsesi esencën e së drejtës së garantuar. Edhe me rastin e dënimeve të Grupit të Drenicës i ftojmë të gjitha institucionet e pushtetit publik dhe sidomos gjykatat që t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe ta shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël.
• Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, në këtë drejtim edhe në mbrojtjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
• Të drejtat dhe liritë e njeriut, të garantuara me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, duhet të zbatohen edhe për ushtarët eUshtrisë Çlirimtare të Kosovës.
• Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë të drejtë për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe sikur çdo qytetari u garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
• Të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi për t’i mbrojtur pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët mund t’u nënshtrohen veprimeve diskriminuese, si rrjedhojë e të qenët pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
• Kuvendi i Republikës së Kosovës u propozon institucioneve të përcaktuara me Kushtetute që t’i dekorojë për merita të veçanta komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në pajtim me Ligjinpër dhënien e dekoratave.
• Kuvendi i Republikës së Kosovës zotohet që brenda 6 (gjashtë) muajve do ta miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim.
Në vijim të mbledhjes, Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, paraqiti një draft-rezolutë të propozuar nga Vetëvendosje e cila përmban këto pika:
1. Ushtria Çlirimtare e Kosovës të futet në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të mbrohet si vlerë;
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk pajtohet më dënimin e ushtarëve të UÇK-së nga proceset gjyqësore të EULEX-it, kryesisht me prova të fabrikuara nga Serbia;
3. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e njeh autoritetin e EULEX-it për ta gjykuar UÇK-në; si dhe:
4. Të shfuqizohen nenet e Gjykatës Speciale të miratuara më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës.
Pasi e propozoi këtë rezolutë, Glauk Konjufca(VV), tha se po të miratohet kjo rezolutë do të ishte garancia më e mirë qysh mbrohet lufta e UÇK-së dhe UÇK-ja si vlerë.
Zenun Pajaziti, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se kur është inicuar ky debat, kjo çështje është ngritur me qëllim që të gjendet një gjuhë e përbashkët në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Sipas tij ajo që është thënë në Kuvend,( duke aluduar në grupin parlamentar të Vetëvendosjes), është e padrejtë dhe e pamoralshme, ndërkaq shtoi se nuk do ta mbështesin këtë rezolutë të propozuar nga Vetëvendosje.
Ndërsa, Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha fillimisht se fjalën e tyre LDK-ja e ka thënë me votën e tyre pro rezolutës së harmonizuar nga grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nisma.
Nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, tha se kanë të drejtë të propozojnë zgjidhje të cilat mendohen se janë më të mira s sa ato që janë në rezolutën e miratuar më parë.
Pas deklarimit të Daut Haradinaj (AAK) dhe Enver Hoti (NISMA) të cilët vlerësuan se do ta përkrahin edhe këtë rezolutë të propozuar nga Vetëvendosje, foli edhe deputetja Ganimete Musliu (PDK), e cila tha se sa i përket propozim rezolutës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, duhet të bëhet inicimi i plotësim ndryshimit të Kushtetutës.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se këtë propozim nuk do ta hedh në votim,meqë paraprakisht duhet të inicohet ndryshimi i Kushtetutës, duke u bazuar në pikën e parë të propozim rezolutës së Vetëvendosjes.
“Nëse e keni me seriozitet këtë çështje, mund të merrni masa për ndryshimin e Kushtetutës. Silleni propozimin dhe ua jap fjalën se PDK-ja do ta përkrah këtë çështje”, tha kryekuvendari Veseli.
Propozim-rezoluta e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes nuk është hedhur në votim.