Kuvendi i Kosovës që nga shtatori i vitit të kaluar ka arritur t’i miratojë vetëm 27 ligje, përderisa në bazë të planit legjislativ deri në fund të vitit parashihet të miratohen edhe rreth 100 ligje, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Për rreth shtatë muaj Kuvendi i Kosovës ka arritur t’i miratojë vetëm 27 ligje, madje në tre muajt e parë të këtij viti ka miratuar 22 ligje, ndërkohë që sipas planit legjislativ deri në fund të vitit duhet të miratohen edhe rreth 100 ligje të tjera.
Kuvendi nuk po mban seanca plenare siç parashihet në Rregulloren e Punës së Kuvendit, por ato thirren vetëm pasi të jenë grumbulluar shumë çështje.
Për mungesë të votimit të ligjeve në Kuvend Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka hedhur “topin” te Qeveria e vendit dhe te grupet parlamentare, që sipas tyre janë personat kompetentë për të sjellë ligje për votim në Kuvend, shkruan tutje “Zëri”.
Në anën tjetër, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e opozitës konsiderojnë që fajtor për mosprocedimin e ligjeve është koalicioni qeverisës, të cilës kanë mungesë të kapaciteteve për të çuar përpara agjendat pozitive për vendin.
Ndërsa njohësit e çështjeve politike thonë se situata aktuale politike në vend ka lënë pas procedimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës.