Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës në Drenas, ka vendosur që të gjitha rekomandimet të propozohen dhe më pas të harmonizohen që të parandalohen rastet e tilla, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, si inicuese e seancës tha se të gjitha rekomandimet të harmonizohen dhe të jepen propozime që do të parandalojnë rastet e tilla.
“Dua të falënderoj çdo deputet. Ne propozojmë që krejt këto qe ishin si kërkesa për orientim të harmonizohen për krejt këto përfaqësuesit e grupeve. Është mirë që të ofrojnë tekstin e harmonizuar”, ka thënë Kajtazi.
Ndërsa bashkëinicuesja e debatit parlamentar, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, tha se nga kjo seancë kanë dalë rekomandime të vlefshme gjersa kërkoi që nga grupet parlamentare të zgjidhen përfaqësues të cilët do të harmonizojnë rekomandimet
“Ka pas rekomandime me vlerë që duhet të përfshihen dhe kërkojmë që këto rekomandime të jenë në harmonizim me konventën dhe mendojmë që secili grup parlamentar të propozoj një emër që të sjellin rekomandimet e harmonizuara në seancën tjetër. Mirëpo kam kërkesë që të gjitha rekomandimet të zbatohen”, tha Kollçaku, raporton Ekonomia Online.
Për të gjitha këto rekomandime u zgjodhën përfaqësuesit e grupeve parlamentare të cilët janë: Fatmire Kollçaku nga LVV-ja, Xhevahire Izmaku nga PDK-ja, Albulena Balaj nga Nisma, Driton Qaushi nga PSD-ja, Shkumbim Demalijaj nga AAK-ja, Lirije Kajtazi nga LDK-ja, Duda Balje nga 6+ dhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.