Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar raportin e shpenzimeve të Kuvendit për nëntëmujorin e këtij viti, raporton Ekonomia Online.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi tha se për këto nëntë muaj kanë shpenzuar mbi 56 për qind të buxhetit.
Ai më tej ka bërë të ditur se veç për paga dhe mëditje janë shpenzuar mbi 5 milionë euro, ose 67% e buxhetit.
“Raporti nëntëmujor i buxhetit dhe shpenzimeve të Kuvendit për 2021, përfshin raportin e përgjithshëm nëntëmujor si dhe shpenzime e detajuara për periudhën raportuese 1 janar-30 shtator 2021. Shpenzimet e buxhetit për këtë periudhë janë, mbi 5 milionë euro për paga dhe mëditje ose 67 për qind të buxhetit”.
“Mallra dhe shërbime janë mbi 501 mijë euro, shpenzime komunale janë mbi 103 mijë euro, subvencione dhe transfere janë 8 800 euro, ndërkaq shpenzime kapitale janë 207.134 euro”, ka treguar sekretari i Kuvendit.
Tutje, ai ka thënë se “shpenzimet e nëntëmujorit të këtij viti krahasuar me ato të vitit 2020, shpenzimet e vitit 2021 janë më të larta se ato të periudhës së njëjtë raportuese”.
“Paga dhe shtesa për këtë nëntëmujor janë më të vogla sesa ato të vitit 2020 për shumën prej 50 mijë euro. Shpenzimet më të vogla janë të kategorive si shpenzimet e udhëtimit, shërbimet kontraktuese, furnizim për zyre, blerje të kompjuterëve etj”, tha ai.
E për këto ulje të shpenzimeve, kërkoi sqarime deputeti Pal Lekaj.
“Sa i përket investimeve kapitale, shpenzushmëria është shumë e ulët, dhe pse ka ndodhur kjo. A nuk ka qene planifikimi si duhur apo nuk keni pasur ku ti investoni”, pyeti Lekaj.
“Te shpenzimet kapitale, shume janë të lidhur me procedura të auditimit. Aktualisht jemi në OSHP, ku me mbi 470 mijë euro, nuk mund ta llogarisim si shpenzim. Aktualisht OSHP është pa bord dhe po presim që mbrenda funksionalizimit të bordit, t’i realizojmë edhe këto mjete si shpenzime”, u përgjigj Krasniqi.