Yll Zekaj, hulumtues nga IKD-ja, ka thënë se ka qenë e domosdoshme që të miratohen ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës që, sipas tij, i hap rrugë reformimit të sistemit prokurorial.
“Domosdoshmëria është parë edhe nga Komisioni i Venecias i cili i ka hapur rrugë ndryshimeve të Ligjit për KPK-në, pasi që Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar opinion nga ky komision. Ky komision kishte deklaruar se ulja e numrit të anëtarëve duhet të arsyetohet vetëm me reformim të thellë të sistemit prokurorial, duke konsideruar se sistemi prokurorial po udhëhiqet me një mendësi korporatiste ku një numër absolut i prokurorëve në raport me anëtarët e tjerë po arrijnë të bëjnë një lloj diktim të politikave të KPK-së e të cilat në realitet kanë reflektuar si të dëmshme. Sot patëm aprovimin e këtij projektligji në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës që faktikisht i hap rrugë reformimit të sistemit prokurorial në një komponentë shumë të rëndësishme që është edhe ulja e numrit të prokurorëve në KPK dhe sidomos një balancim mes anëtarëve të KPK-së nga radhët e prokurorëve dhe nga ata të cilët nuk do të jenë prokurorë si anëtarë të KPK-së”.
Zekaj, në “Info Magazine” të Klan Kosovës ka thënë se është e rëndësishme që ky projektligj do të bëjë një balancim të anëtarëve të KPK-së mes atyre që janë prokurorë dhe atyre që nuk janë.
Por, a mund të ketë ndikim politik përmes anëtarëve të Këshillit Prokurorial që nuk janë prokurorë?
“Ne si IKD kemi qenë pjesë punuese për hartimin e këtij projektligji dhe gjithashtu kemi dhënë vërejtjet tona në këtë drejtim që Kuvendi i Kosovës të ketë kujdes që duke tentuar që të çkapet nga mendësia korporatiste e vetë anëtarëve të KPK-së nga radha e prokurorëve të mos kemi kapje pastaj nga ana e anëtarëve të tjerë joprokurorë të KPK-së e të cilët mund të kenë edhe prapavijë politike. Janë dy anëtarë nga radha e joprokurorëve që zgjedhen nga Kuvendi dhe një anëtar nga Avokati i Popullit”.