Mbi 121 mijë euro ka shpenzuar Kuvendi i Kosovës për udhëtime zyrtare në tremujorin e parë të vitit 2018.
Gjatë periudhës janar-mars Kuvendi shpenzoi 33.636 euro për udhëtime jashtë vendit, 990 euro shpenzime për udhëtime brenda vendit, 48.387 euro për mëditje të udhëtimeve zyrtare, 34.608 euro për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare, si dhe 3.822 euro shpenzime të tjera, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithatë, shpenzimet për udhëtime zyrtare kanë pësuar një ulje prej 9.8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo ka ndodhur shkaku i vendimit të Kryesisë së Kuvendit, në bazë të të cilit deputetëve iu kërkua që të mos e lëshojnë vendin për udhëtime zyrtare para datës 20 shkurt.
Kërkesa ishte bërë me arsyetimin se ka seanca ku duhet të miratohen projektligje dhe vendime të cilat kërkojnë numrin e deputetëve për kuorum.
Por gjatë periudhës së njëjtë të vitit, Kuvendi i Kosovës ka rritur shpenzimet për paga dhe mëditje. Për këtë kategori janë shpenzuar 1.725,943 euro apo 18 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.