Ky dimër vendimtar për të ardhmen e Ukrainës, por edhe të Evropës

Prishtinë | 18 Nën 2024 | 14:53 | Nga Dardan Islami

Ukraina po hyn në dimrin e tretë të luftës kundër agresionit ushtarak rus. Ky dimër duket se do të jetë vendimtar jo vetëm për të ardhmen e saj dhe të Rusisë, por edhe të Evropës që po jeton në ethet e luftës, nën kercënimin permanent nga një diktator i paparashikueshëm, me burime gazi dhe nafte, por edhe me shumë armë nukleare.

Ukrainasit befasuan çdo parashikues politik që nga dita e parë e kësaj lufte, ku edhe pse me humbje të konsiderueshme në pajisje dhe personel, ata arritën ta dërrmojnë ushtrinë ruse, duke i bërë ata shumë herë që të tërhiqen mbrapa.

Humbjet e shkaktuara nga armët perëndimore dhe efikasiteti i dronëve ukrainas e zunë ushtrinë ruse krejtësisht të papërgatitur dhe të patrajnuar për këtë lufte moderne. Ushtria ruse perveç moralit të ulët, si pasojë e korrupsionit endemik në radhët e saj, rregullisht po ballafaqohej me probleme serioze logjistike dhe me pajisje joadekuate luftarake në fushëbetejë.

Ne fazën e parë, rusët humbën komplet ushtrinë e tyre profesionale, njësitet e tyre të specializuara, shumë oficerë dhe gjeneralë. Flota e tyre detare e Detit te Zi, gati sa nuk u asgjësua komplet nga sulmet ukrainase, para se të tërhiqeshin krejtësisht nga Deti i Zi.
Forcat ajrore ruse pas shumë humbjeve asnjëherë nuk arritën ta vënë nën kontroll të plotë hapësiren ajrore në zonat e okupuara. Putin në fazën e dytë të invazionit po mbështetej kryesisht në artileri të rëndë dhe në mercenarët e ushtrisë private Wagner. Si pasojë e humbjeve, ai u detyrua ta bëjë një mobilizim të përgjithshëm aspak të popullarizuar brenda popullsisë së Federates Ruse, ku shumica e tyre u vranë në luftimet e ashpra në zonat rreth Bakhmut.

I dëshpëruar nga humbjet, Putin në fazën e tretë amnestoi rreth pesëdhjetë mijë të burgosur, që kishin nënshkruar kontrata ku pas shërbimit gjashtë mujor në zona lufte do të liroheshin nga dënimi. Pesëdhjetë e tri burgje u mbyllën në Federaten Ruse pasi mbetën të zbrazura, shumë pak nga të burgosurit jetuan për ta përmbushur kontratën gjashtë mujore, dhe të njëjtin fat e pati edhe rekrutuesi i tyre, pronari i Wagner, Yevgeni Prigozhin, aeroplani i të cilit u godit në ajër, pas nje puçi të dështuar ushtarak të prirë nga ai dhe mercenarët e tij.
Në fazën e katërt, në gusht 2024, Zelensky befasoi përsëri me një kundërsulm, kur urdhëroi ushtrinë ukrainase që të okupojë një pjesë te territorit rus në rajonin e Kurskut, të cilin vazhdon dhe e mban nën kontroll, gjersa njësitet ruse po përforcohen me “mish të freskët”, kësaj here nga Korea Veriore, ndërkaq ushtria ukrainase nuk po arrin më t’i zëvendësojë të vrarët dhe të plagosurit e saj me rekrutë të rinjë.

Pas dy vjet pritje presidenti Biden sot përfundimisht e lejoi përdorimin e raketave perëndimore me rreze të gjatë veprimi në caqet ushtarake brenda territorit rus, një lajm i mirë ky për Ukrainën nëse në ndërkohë Administrata Biden e furnizon Kievin me armët e premtuara. Nëse një pjesë e armëve të premtuara nga SHBA arrijnë në fushëbetejë nesër, atëherë mund të presim një kundër ofansivë e cila mund ta ndërrojë situatën në terrenin e ngrirë, gjersa çdo vonesë e mundshme mund të ketë pasoja katasrofale për ushtrinë e lodhur të Ukrainës.
Ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, do ta ndryshojë qasjen ndaj këtij konflikti, duke e vënë Zelenskyn para një akti të kryer në tre vjetorin e invazionit. I vetëdijshëm për situatën dhe nën presion të madh, Zelensky dje deklaroi se “ai është i gatshëm për bisedime me Rusine”, edhe pse në këtë fazë askush perveç Trump nuk e di se a do të kemi vetëm një armëpushim apo një marrëveshje afatgjatë të paqes?

Mbase Ukraina edhe mund ta humbë një pjesë të territorit që nuk e kontrollon, por Perëndimi e fitoi këtë luftë që në ditën e parë kur rusët dështuan ta okupojnë Kievin me “operacionin e tyre special ushtarak”, sepse në këtë lufte qartazi dominuan armët perëndimore dhe qartazi doktrina e NATO-s ngadhënjeu ndaj asaj ruso-sovjetike.
Dy muajt e ardhshëm mbetet vendimtar për goditjen e fundit, me shumë gjasa goditje fatale për ushtrinë e dërrmuar të Putin, të cilin presidenti i zgjedhur Trump dhe shumica e liderëve europianë preferojnë ta nxjerrin “me fytyrë” në këto bisedime para se të bëhet vonë, nga frika se nje destabilizim i brendshëm i Rusisë mund të sjellë rreziqe te paparashikueshme.

Kjo luftë, më e madhja në Europe që nga Lufta e Dytë Botërore, e shtrirë në 1,300 kilometra vijë frontale, me mbi një milion viktima dhe me disa miliona refugjatë, nëse nuk ndalet ka gjasa reale të dalë jashtë kontrolli, e këtë skenar tash për tash, duket se nuk e dëshiron asnjëra palë!
Rezultatet e bisedimeve të mundshme mes Ukrainës dhe Rusisë do të kenë impakt të madh edhe në rajonin tonë, kur dihet se presidenti serb Vuçiq e ka thënë shumë herë publikisht, se ai pret përfundimin e luftës atje për të parë se si do të pozicionohet karshi NATO’s dhe vetë problemit të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, duke shpresuar kështu në një fitore të Rusisë, si një supefuqi që do të projektonte forcë në tërë globin, e jo një fuqi e mundur rajonale.

Një mobilizim në këtë fazë çfarë po e proklamon Zelensky mund të na befasojë përsëri, duke i shfrytëzuar avantazhet e raketave precize gjatë këtij dimri, ai mund ta ndryshojë edhe rrjedhën e luftës në moment të fundit në dobi të Ukrainës, skenar ky i mundshëm vetëm me përkrahjen e fuqishme nga të gjitha shtetet anëtare të NATO’s pa kushte e vonesa, në këtë fazë shumë kritike, para një beteje vendimtare që të gjithë po shpresojmë të jetë e fundit.

Të ngjashme