Ky është shkrimi që çoi në arrestimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj

Prishtinë | 06 Tet 2023 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Dilaver Goxhaj, babai i ish-luftëtarit të UÇK-së që ndodhet në paraburgim ishte sot në DritareTv për të folur rreth arrestimit të të birit dhe vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës për ekstradimin e tij në Hagë.

Goxhaj shprehet se avokatët po bëjnë të pamundur që Dritan Goxhaj të mos ekstradohet, megjithëse sipas tij Gjykata e Tiranës do me çdo kusht që ai të çohet në Hagë. Goxhaj tregon ndër të tjera dhe dy nga shkrimet për të cilat u arrestua Dritan Goxhaj disa javë më parë.

“Shkrimi për të cilin u arrestua Dritan Goxhaj titullohet “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe Gjykata Speciale”. Midis të tjerave ai në këtë shkrim boton emrat e 5 dëshmitarëve të fshehtë dhe një dëshmitar i mbrojtur nga Shkodra. Këta kanë dëshmuar për Sali Mustafën që u dënua 26 vjet. Më bën përshtypje që Prokuroria e Gjykatës Speciale u mbështet vetëm te ky shkrim i Dritanit që ata emra i di i gjithë populli i Kosovës. Në 2019-ën, Dritani botoi edhe një shkrim tjetër që titullohet “Dëshmitarët entuziastë në Prokurorinë Speciale çojnë ujë në mullirin e armikut të UÇK-së!” Pse e thotë kështu? Ai thotë, habitem sesi këta dëshmitarë shkojnë me dëshirë në Prokurori, jo në Gjykatë, por në Prokurori që është hetuesia. Si mund të vesh në hetuesi, gjithë dëshirë të dëshmosh. Njeriu dëshmon për atë që ka parë dhe dëgjuar, pse ata shkojnë dëshmojnë fshehurazi? Dritani thotë: “Vetëm njëri nga gjithë këta që janë thirrur për të dëshmuar, e hodhi në gjyq prokurorinë speciale, e fitoi gjyqin dhe nuk i vajti të dëshmojë. Ky është ish-komandanti i Batalionit të Mbrojtës së Shtabit të Përgjithshëm, Mahir Hasani.”

Në shkrimin e tij Dritani thotë: Dëshmitar do të thotë të dëshmosh për diçka që ke parë dhe që ke dëgjuar. Të provosh një apo dy prova për të vërtetën dhe këtë lloj dëshmie këta dëshmitarë po na e sheshin për patriotizëm.”, kështu tha ish-koloneli Dilaver Goxhaj për gazetarin Ermal Peçi në DritareTv.

Të ngjashme