Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Llojd Austin është në një vizitë dy-ditore në Bullgari për bisedime me kryeministrin bullgar Kiril Petkov dhe ministrin e mbrojtjes Dragomir Zakov, shkruan Euronews.
Ata do të diskutojnë bashkëpunimin e mbrojtjes SHBA-Bullgare dhe planet e NATO-s për të forcuar krahun e saj lindor mes pushtimit rus të Ukrainës.
Petkov ka përjashtuar mundësinë e ofrimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, por tha se vendi i tij, një aleat i NATO-s, do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare.
“Bullgaria do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar ukrainasit në këtë luftë të vështirë dhe këtë agresion të madh që Federata Ruse u ka shkaktuar atyre,” u tha ai gazetarëve.
“Por duke qenë kaq afër konfliktit, tani për tani, ndihma ushtarake për Ukrainën nuk do të jetë e mundur.”
Bullgaria, e cila nuk kufizohet me Ukrainën, por ka pranuar mijëra refugjatë, ka rënë dakord të presë një kontigjent të ri trupash të NATO-s si pjesë e shtytjes së aleancës për të përforcuar krahun e saj lindor.
Do të krijohet një grup beteje prej deri në 1000 trupa nën komandën operacionale të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Evropë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes e falënderoi Petkovin për mbështetjen e tij.
“Ne folëm gjithashtu për gjërat që forcat tona po bëjnë së bashku dhe sigurisht që ne mbetemi mirënjohës për udhëheqjen e tij dhe për Bullgarinë për pritjen e një grupi beteje këtu,” tha Austin.
Ndërkohë, protestuesit u mblodhën në një park pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Bullgarisë, ndërsa bisedimet po zhvilloheshin.
Të rrethuar nga policia, ata brohoritën dhe mbanin pankarta, ndërsa disa valëvitnin flamuj bullgarë dhe rus.