Pas rreth 9 vjetësh pritjeje, laborantëve të diplomuar në drejtimet Biokimiko-Fiziologjik dhe Biologji-Aplikative të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) u është hapur mundësia që të marrin licencë si laborant i lartë mjekësor.
Kjo meqë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka marrë vendim që të diplomuarve në këto drejtime t’u organizohen lëndë-module klinike të cilët ua kërkonte Ministria e Shëndetësisë për t’i pajisur me licencë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Rreth 80 të diplomuar të këtyre dy drejtimeve tash e disa vjet kanë mbetur pa licenca, meqë MASHT-i nuk nxirrte vendim për organizimin e këtyre moduleve.
Në vendimin që e ka marrë ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, thuhet se modulet dhe lëndët e nevojshme për këtë grup të diplomuar të studentëve i harton Fakulteti i Mjekësisë. Sipas vendimit, kandidatët e diplomuar pas kryerjes së moduleve do të marrin titullin “laborant i lartë mjekësor”.