Lajçak flet me një zyrtar të KiE për forcimin e qeverisjes lokale në Veri të Kosovës

Prishtinë | 05 Qer 2024 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka diskutuar se si mund të forcohet qeverisja lokale në veri të Kosovës me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Mathieu Mori.

Këtë e ka bërë gjatë një vizite që po zhvillon në Strasburg.
“Derisa isha në Strasburg, diskutova edhe me Mathieu Mori, Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës si të forcohet qeverisja lokale në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak.

Ndryshe, Lajçak ka folur sot para shteteve anëtare të Këshillit të Europës mbi procesin që ai ka në përgjegjësi.

Lajçak tha se aty foli mbi gjendjen aktuale të dialogut Kosovë-Serbi dhe shtoi se uniteti brenda BE-së është çelësi për ta forcuar pozitën e Unionit ndër vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kënaqësi të kthehem në Këshillin e Europës në Strasburg pas gati dy vjetësh. E vlerësova mundësinë për të informuar shtetet anëtare të BE-së për situatën aktuale dhe sfidat përpara në dialogun e lehtësuar nga BE. Uniteti i BE-së është kyç për të forcuar pozicionin tonë politik në Ballkanin Perëndimor”.

Të ngjashme