Lajçak në takim me Bislimin, pas atij me Petkoviqin

Prishtinë | 16 Nën 2023 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Aktualisht, Lajçak është duke zhvilluar takime me krynegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, zëvendëskryeministër i Kosovës

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë nisur të enjten takime në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve paraprake, të arritura mes dy vendeve.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Aktualisht, Lajçak është duke zhvilluar takime me krynegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Më pas, nëse do të ketë vullnet nga palët, mund të ketë edhe takim trepalësh.

Bislimi ka thënë të mërkurën se takimi i 16 nëntorit është vazhdimësi e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe bllokut evropian.

Petkoviq ka thënë ditë më parë se në Bruksel do të niset me një “ekip ekspertësh”.

Sipas burimeve evropiane, në agjendë të takimeve do të jetë diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për hapat tjerë në zbatimin e obligimeve që dalin prej Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.

Megjithatë, në takimin e së enjtes, sipas burimeve të BE-së, prioritet kryesor do të ketë Asociacioni.

Drafti për këtë Asociacion u është dorëzuar palëve në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

BE-ja e konsideron këtë draft si “plan modern evropian” dhe ka insistuar që palët ta pranojnë.

Ndonëse përmbajtja e këtij drafti vazhdon të mos jetë e qasshme për publikun, BE-ja dhe vendet kryesore anëtare, e konsiderojnë atë si propozimin më të mirë dhe si kompromis të cilin palët duhet ta shfrytëzojnë për të lëvizur përpara.

Të ngjashme