Lamtumirë idiotë!

Prishtinë | 02 Maj 2017 | 19:45 | Nga Burim Ramadani

Shumë prej këtyre politikanëve, që mund t’i gjeni në pozitë e opozitë, kanë dy elemente jashtëzakonisht kërcënuese për shtetin e Kosovës: 1) janë të padijshëm dhe 2) kanë qëllim për të bërë keq! Ky kombinim i dy të këqijave të tyre, normalisht, ka shkaktuar rrokullisje të paparë të politikës në Kosovë.

Është mykur politika. E kanë mykur! Duhet dhënë hapësirë atyre që kanë mendim politik, në pozitë e opozitë!

Prej 120 deputetëve, nuk mund të numërosh më shumë se 10 debatues, folës e argumentues të përgatitur. Prej më shumë se 20 ministrash, nuk mund të numërosh më shumë se 5 që kanë ide qeverisëse dhe angazhim mbi ato ide. Prej më shumë se 50 zëvendësministrash, nuk mund të numërosh më shumë se 5-6 që i njeh qytetari për punën që bëjnë. Prej 38 kryetarë komunash, nuk mund të numërosh më shumë se 10 që kanë shërbyer dhe bërë diçka të mirë për komunitetin.

Një strukturë e tillë përbashkohet në një pikë të vetme: janë të padijshëm!

Ndërsa, një pjesë e madhe prej tyre kanë edhe diçka tjetër “më të avancuar” të përbashkët: qëllimin për të bërë keq!

Pra, shumë prej këtyre politikanëve kanë dy elemente jashtëzakonisht kërcënuese për shtetin e Kosovës:

1) janë të padijshëm, dhe

2) kanë qëllim për të bërë keq!

Ky kombinim i dy të këqijave të tyre, normalisht, ka shkaktuar rrokullisje të paparë të politikës në Kosovë. Është mykur politika. Në fakt, e kanë mykur!

Nuk ka pasur pothuajse në asnjë situatë mungesë më të madhe të legjitimitetit dhe besimit publik mbi këtë strukturë politike. Andej e këndej kufirit të pushtetit. Me pak dallime në pozitë e opozitë!

Politika ka pasur shancë të jashtëzakonshme në këtë periudhë që të vendos një standard të ri, duke u larguar nga humnera. Por, këta të padijshëm dhe me qëllim për të shkaktuar dëm kanë bërë një hap përpara drejt humnerës.

Këta njerëz, që politikën e kanë dhe e shohin si instrument pasurimi dhe interesi personal, e kanë bërë këtë vend më të keq për të jetuar, më të ashpër për të konkurruar në dije e profesionalizëm. E kanë bërë këtë vend më të pajetueshëm.

Prandaj, edhe ikin njerëzit nga Kosova. Prandaj, edhe të rinjtë ëndrrën e vet rinore e kanë të lëshojnë sa më shpejt Kosovën.

Në të vërtetë, të keqen që këta ‘politikanë’ kanë shkaktuar fillon më së pari tek vetja dhe familjet e tyre. Mund të tingëllojë paradoksale në shikim të parë, por këta i kanë marrë në qafë pikë së pari familjet e veta. Jo duke i varfëruar, jo. Përkundrazi, duke i pasuruar dhe duke i dhënë para të pista dhe mundësi të lehta e jomeritore. Dhe, pikërisht këtu i kanë marrë në qafë.

I kanë mësuar të afërmit e vet se jeta është dallavere. Se konkurrenca e lirë nuk ekziston. Se gjithçka bëhet me të njofshëm. Se e tëra lidhet me pushtetin, paratë, tenderat, intervenimet personale për punë e për sevda.

Kur të “rriten” për t’u munduar vet e për të lundruar në jetën e ‘qytetarëve të rëndomtë’, të afërmit e tyre do t’i mallkojnë. Do t’i tregojnë se e tëra që kanë kaluar nuk paska qenë e vërteta e jetës.

Sidoqoftë, nuk janë vetëm të afërmit e tyre që do të shohin se kush paskën qenë ‘politikanët’ e tyre.

Strukturat partiake dhe, në rend të parë, komisionerët e paguar nga ta do të zhgënjehen, sikur po zhgënjehet përditë e më shumë. E shohin se pagesën që kanë marrë atë ditë në zgjedhje nuk paska qenë për partinë, sikurse u patën thënë këta ‘politikanë’. Paska qenë vetëm për qejfet e këtyre të fundit, që pastaj kaluan vite të tëra duke intervenuar e bërë dallavere për përfitime personale. Asgjë më shumë.

Pastaj, këta komisionerë, kryetarë nëndegësh e diku edhe aktivesh, shkojnë dhe ankohen tek të tjerët. U tregojnë saktë dhe me detaje çka kanë bërë. Tregojnë se si në dy ditët e fundit para datës së zgjedhjeve, bëhet pazari.

Dhe, pazari bëhet “për partinë”, “për të ardhmen e partisë”, “për udhëzimet që i kanë bërë ata lartë”.

Pikërisht këtu shtohet edhe një elemenet/detaj i lezetshëm: “ja paratë për ty që në ditën e zgjedhjeve t’i shërbesh më mirë partisë”.

Kjo është forma më e zakonshme se çfarë nënkupton për ta politikë-bërja për këta. Për këta që duhet të shkojnë. Të çlirojnë partitë në rend të parë, pastaj edhe institucionet.

Të tillë dhe në këtë model duhet të largohet përgjithmonë nga jeta politike.

Janë idiotë!

Duhet dhënë hapësirë atyre që kanë mendim politik, në pozitë e opozitë!

Prandaj, sa më shpejtë që vendosin të shkojnë në zgjedhje, aq më shpejt duhet t’i thuhet qartë:

Lamtumirë idiotë!

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme