Largimi i gazetares Sejda nga RTK, reagon AGK-ja: Erdhi si pasojë e presionit politik

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur keqardhje për largimin e gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës.

AGK, përmes një reagimi publik thotë se largimi i saj lidhjet me presionin e vazhdueshëm politik në RTK.

“AGK-ja shpreh keqardhje për largimin e Sejdës nga RTK dhe e sheh këtë akt si konfirmim të kapjes së këtij institucioni nga menaxhmenti i lidhur drejtpërdrejt me Qeverinë dhe partinë politike në pushtet, Vetëvendosje. Largimi i Sejdës dhe largimi i emisioneve të disa gazetarëve e redaktorëve ndodhin si pasojë e politikave menaxhuese që ndëshkojnë dhe përndjekin këdo që synon t’i respektojë parimet themelore të etikës së profesionit”, thuhet në njoftim.

Sipas AGK-së, RTK-ja “është shndërruar tash e një kohë në makinë propaganduese të Vetëvendosjes nëpërmjet politikave redaktuese që censurojnë zërat kritikë brenda dhe jashtë mediumit”.

“Rënia e lirisë së medias në Kosovë, siç dokumentohet edhe në raporte ndërkombëtare, lidhet edhe me kontrollin politik dhe financiar të RTK-së nga Qeveria e zotit Kurti. AGK-ja qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Sejda dhe me të gjithë gazetarët e redaktorët e Transmetuesit Publik që vazhdojnë rezistencën brenda RTK-së. AGK-ja e fton Qeverinë e Kosovës dhe Vetëvendosjen që ta ndalin presionin politik dhe financiar ndaj RTK-së”. 

“AGK-ja gjithashtu e fton Bordin e RTK-së që të mos qëndrojë indiferent dhe të kërkojë llogari nga Menaxhmenti, duke u përkujdesur që të mos ketë përndjekje ndaj gazetarëve dhe që raportimi të kthehet në shërbim të interesit publik, e jo të një partie politike”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme