Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Organizata “Let’s Do It Kosova” së bashku me qindra studentë nga Fakulteti i Edukimit dhe vullnetarë nga kompania “Baruti-Ag”, kanë realizuar disa aktivitete në hapësirat e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në orën 11:00, qindra studentë ndihmuan vullnetarët e “Let’s Do It Kosova” në pastrimin e hapësirës së kampusit universitar dhe largimin e mbi 100 thasëve me mbeturina, për të vazhduar pastaj me mbjelljen e 22 fidanëve “Paulownia”, të cilët janë dhuruar nga kompania “Liridoni” Preshevë.
Koordinatori i Organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e madhe të studentëve në aktivitetet e sotme dhe inkurajoji ata që edhe më tej të marrin pjesë në aktivitetet që organizohen për çështje mjedisore.
Ndërsa, profesori universitar Zeqir Vesalaj, ka përmendur nevojën për edukim mjedisor, në mënyrë që të ngritët vetëdija për rëndësinë e mjedisit dhe mirëmbajtjen e tij.
22 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Tokës konsiderohet si ditë e apelit ndaj problemeve që lidhen me degradimin, keqpërdorimin dhe ndotjen e Tokës. Andaj, pikërisht në këtë ditë, “Let’s Do It Kosova” u bën thirrje jo vetëm studentëve, por të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të bashkëngjiten në aksionet e shumta për pastrimin e mjedisit dhe të jenë të përgjegjshëm, në mënyrë që të mos krijohen deponi ilegale të mbeturinave.
LDIK njofton të gjithë se aksionet e tilla për largimin e mbeturinave do të vazhdojnë edhe më tej në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” për vitin 2017.