Policia në Rajonin e Mitrovicës ka njoftuar se javë më parë ka filluar të zbatojë planin operativ “kontrolli i traktorëve dhe makinave bujqësore”.
Në njoftimin e Policisë thuhet se ky plan ka filluar të zbatohet duke marrë parasysh rritjen e numrit të aksidenteve me pasoja fatale, veçanërisht dy rasteve të fundit në rajonin e Mitrovicës, ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona.
Policia ka njoftuar se kontrolle të shtuara do të ketë në të gjitha rrugët, përfshirë edhe rrugët lokale. Sipas policisë, që nga fillimi i këtij plani janë shqiptuar 19 gjoba për drejtues të traktorëve dhe janë larguar nga qarkullimi 35 traktorë.
Policia në rajonin e Mitrovicës ka bërë apel te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e traktorëve dhe makinave bujqësore, që të shtojnë kujdesin dhe vigjilencën gjatë qarkullimit të tyre, që makinat e tyre të jenë teknikisht në rregull, të respektojnë dhe t’iu përmbahen dispozitave ligjore, sinjalistikën rrugore, si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugëve.