Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka mbajtur një takim pas vendimit për shqiptim të gjobave hudhjes së mbeturinave në vendet jo-adekuate. Në takim ishin prezent Komandanti i Stacionit Policor në Rahovec, Osman Ismajli, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, inspektorët komunalë, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Inspekcionit, Rojet e Pyjeve, Kompanitë për mbledhjen e mbeturinave si dhe Zyrtarja për Mjedis.
Gjatë takimit kryetari Latifi, ka kërkuar përkushtim maksimal nga të gjitha palët në mbrojtje të ambientit dhe ka autorizuar inspektorët komunalë që të shqiptojnë gjobat mandatore për mjedis.
“Qëllimi im nuk është që të dënohen qytetarët, por është thjesht një thirrje për ndërgjegjësim, për ta mbrojtur dhe ruajtur ambientin dhe natyrën e bukur që ka komuna e Rahovecit. Ta mbrojmë e ruajmë bashkë ambientin”, ka thënë ndër të tjera kryetari Latifi.