Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe këshilltari i kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, Blerim Latifi, ka thënë se programi i kwsaj partie do të zbatohet menjëherë pas zgjedhjeve.
Latifi në një intervistë për Ekonomia Online, është shprehur se nuk është vetëm elektorati i PDK-së ai që ia beson programin kësaj partie.
“Jo vetëm elektorati i PDK-së, por mund të konstatojmë me siguri të plotë se koncepti ynë politik për ta filluar qeverisjen e re me një program dinamik të strukturuar dhe mirë menduar të luftës kundër korrupsionit, është një program që po mirëpritet gjerësisht nga qytetarët dhe si i tillë ai do jetë programi fitues i këtyre zgjedhjeve që do mbahen me 6 tetor”, tha Latifi.
Latifi ka thënë se në takime me qytetarë ka marrë informata se si janë nën presionin e atyre që u ofrojnë lëmosha në këmbim të votës.
Ndër të tjera ai shprehet se kërkimi i një favori për votë, është një ofendim dhe degradim i procesit zgjedhor.
“Ditët e fundit kam pas shumë takime me qytetarë nga vende të ndryshme, kam dëgjuar hallet dhe brengat e tyre për vendin dhe të ardhmen se si e shohin ata politikën, i kam dëgjuar kërkesat e tyre dhe mes tjerash kam pas raste të dëgjoj edhe rrëfime të kësaj natyre, raste që do të tregojnë se si kanë shku njerëz të caktuar dhe në këmbim të votës u kanë kërkuar lëmoshë dhe favore të ndryshme, të holla dhe të mira materiale dhe kjo është një dukuri e shëmtuar në kuptimin se nëse ndodhë blerja e votës dhe nëse dikush në këmbim të një favori financiar, e shet votën e tij aty merr fund edhe përgjegjësia dhe llogaridhënia”.
“…ky është një fenomen që e deformon idenë themelore të procesit elektoral, që do të thotë idenë se të zgjedhurit duhet t’i përfaqësojnë qytetarët, të përgjigjen para tyre dhe të japin llogari para tyre dhe kjo dukuri e shëmtuar e deformon këtë proces dhe ajo është ofendim për qytetarët, nëse blihet vota në forma të tilla. Unë kam dashtë që këtë rrëfim ta denoncojë si të tillë dhe në këtë mënyrë t’i ndërgjegjësojë qytetarët dhe që mos të lejojnë që me votën e tyre e cila është e shenjtë për funksionimin e demokracisë, të bëhen të tilla abuzime”, u shpreh Latifi.
E për përbërjen e listave zgjedhore të partive, ku brenda tyre kësaj radhe janë parë edhe kandidatë shumë të rinj në moshë, Latifi thotë se është në diskrecionin e partive politike që me rekrutimin e njerëzve në parti apo poste publike, të i marrin parasysh edhe kriteret profesionale dhe përvojën e punës.
“Këtu kemi të bëjmë me dy gjëra, në njërën anë politika e ka të nevojshme që të përfshihen njerëz të cilët kanë përvojë të madhe, kanë ekspertizë në fusha të ndryshme pasi politika është një sferë që merren vendime për jetën tonë, vendime që e kanë efekt të drejtpërdrejtë në jetën tonë dhe si e tillë politika duhet të jetë serioze dhe një veprimtari ku respektohet ekspertiza dhe përvoja e njerëzve”.
“…por ligjërisht secili qytetar i Kosovës mbi moshën 18 vjeçare, ka të drejtë legjitime, ligjore që të konkurrojë apo garojë për një post publik, është një e drejtë ligjore të cilën ne me kushtetutë jemi të obliguar të respektojmë, është e drejtë e qytetarëve që të zgjidhen dhe të zgjedhin, mirëpo është në diskrecionin e partive politike dhe në të mirën e tyre që me rekrutimin e njerëzve për poste partiake ose publike të i marrin parasysh edhe disa kritere që garantojnë sukses, qoftë përvojën ekspertizën ose profesionalizmin”, tha Latifi.