Sot, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i shoqëruar nga Fatmir Iska, nënkryetar dhe drejtorët Berat Duraku, drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Saranda Sallteku drejtoreshë e Administratës së Përgjithshme, Rumir Zhuniqi drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtje të Mjedisit, Besnik Hoti drejtor i Drejtorisë për Punë Inspektuese kanë vizituar Kooperativën Bujqësore “Krusha” në fshatin Krushë e Madhe ku janë pritur nga Fahrije Hoti, drejtoreshë e Kooperativës.
Gjatë takimit Latifi ka biseduar me drejtoreshën Hoti, për ecurinë e punëve dhe planet e tyre që kanë për Kooperativën. Ai tha se grat të vyeshme është ajo që më së shumti i duhet vendit tonë, sepse përmbyllja e ciklit të prodhimit dhe eksportimi i prodhimeve tona cilësore është garancia më e mirë për zhvillim ekonomik.
Tutje Latifi e ka inkurajuar drejtoreshën Hoti dhe stafin e saj që të vazhdojnë të kontribuojnë për të mirën e familjeve të tyre, prodhuesve Krushjanë dhe për të mirën e vendit në përgjithësi. Gjithashtu Kryetari i’u rikonfirmoi qëndrimin e tij për përkrahje dhe partneritet konkret ndaj bizneseve prodhuese.
Ndërsa Fahrije Hoti, drejtoreshë e Kooperativës Bujqësore “Krusha” , fillimisht e ka falënderuar Kryetarin Latifi dhe stafin e tij për vizitën, ajo tha se ende kemi nevojë për mbështetje institucionale dhe financiare në mënyrë që të kemi kushte edhe më të mira për punë, për këtë dy pika besoj që do të kemi mirëkuptim tuaj nga ju Kryetar dhe Qeveria Komunale të cilën e udhëhiqeni ju.
Kooperative Bujqësore “Krusha” merret me konzervimin e specave turshi të 12 llojeve të ndryshme, dhe të ajvarit shtëpiak. Të gjitha prodhimet e kësaj Kooperative janë tradicionale dhe recetat që përdoren për këto produkte janë shtëpiake, e për shkak të kësaj prodhimet e kësaj Kooperative shikohen si prodhime të vlefshme në krahasim me ato industriale.