Gjendja në shëndetësinë e Kosovës vazhdon të jetë e rëndë. Sipas Lëvizjes për Bashkim, shkaktari kryesor i kësaj gjendjeje është qasja joserioze që kanë pasur në vazhdimësi institucionet qeveritare, përfshirë këtu Ministrinë e Shëndetësisë.
“Veprimet neglizhente të institucioneve qeveritare, menaxhimi i dobët i institucioneve shëndetësore, nepotizmi, politizimi i skajshëm i tyre dhe, si rrjedhojë, promovimi i jo-profesionalizmit, janë duke u kushtuar me jetë qytetarëve të Kosovës dhe janë duke ndikuar në humbjen e besimit në shëndetësinë kosovare në përgjithësi.”
“Rasti i vdekjeve të dyshimta në QKUK pas intervenimeve kirurgjike përveçqë paraqet një shqetësim alarmant, është kulmi i papërgjegjësisë, neglizhencës, korrupsionit, për të mos thënë i sabotimit të sistemit të shëndetësisë dhe të shëndetit të pacientëve. Kjo është një situatë e frikshme, e cila i ka vendosur në një situatë pasigurie të plotë si pacientët, ashtu edhe mjekët. Një gjendje e tillë është e pashembullt në historinë e QKUK-së, andaj kërkon ndërhyrje urgjente të të gjithë mekanizmave shtetërorë”, thuhet në një komunikatë të LB-së.
Lëvizja për Bashkim e mirëkupton faktin se Ministria e Shëndetësisë nuk duhet të ndërhyjë në punën e organeve të hetuesisë, mirëpo konsideron se kjo ministri duhet t’i ndërmarrë të gjithë hapat që janë në kompetencë të saj, në mënyrë që të kontribuojë për ndriçimin sa më të shpejtë të rastit të vdekjeve të qytetarëve tanë në rrethana të dyshimta. Gjithashtu kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë që të punojë ngushtë me prokurorinë e shtetit, e cila tashmë i ka filluar hetimet për këtë rast. Në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë, së bashku edhe me institucionet e tjera përgjegjëse, duhet ta ndriçojë para opinionit zinxhirin administrativ që ia ka mundësuar operimin një kompanie me produkte mjekësore të palicencuara dhe, nëse ka shkelje, t’i padisë përgjegjësit për këto shkelje.
“Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë duhet t’i kërkojë Bordit të SHSKUK-së të trajtojë seriozisht nëse ka pasur shkelje nga menaxhmenti i QKUK-së në këtë rast, sidomos në procedurat e tenderimit. Duke u bazuar edhe në kompetencat ligjore, të kërkojë auditim nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në mënyrë që të identifikojë nëse ka pasur shkelje, qofshin ato procedurale, ligjore a profesionale. Në rast të shkeljeve, MSh në bashkëpunim me bordin e SHSKUS-së t’i marrë masat e duhura ndaj personave përgjegjës, qofshin ata edhe deri te nivelet më të larta të menaxhmentit të QKUK-së.”
Lëvizja për Bashkim kërkon që Ministria e Shëndetësisë ta iniciojë ndryshimin e ligjit për shëndetësinë dhe ta fuqizojë detyrimin e kryerjes së obduksionit për të gjitha rastet e vdekjeve të dyshimta brenda ambienteve të institucioneve shëndetësore të Kosovës. Zhvarrosja e rasteve të lartpërmendura për obduksion, i cili nuk është i kualitetit të njëjtë sikur të ishte punuar me kohë, pasqyron edhe një qasje joserioze të një institucioni terciar shëndetësor të cilët kanë neglizhuar kryerjen e autopsisë të personave të vdekur në rrethana të dyshimta.