LB i kërkon Qeverisë t’i arsyetojë 53 milionët për Bechtel Enka-n, ose të dorëhiqet

Prishtinë | 08 Qer 2018 | 14:59 | Nga

Lëvizja për Bashkim përmes një komunikate për media është shprehur se me shqetësim po i përcjell ngjarjet që kanë të bëjnë me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë nga ana e Qeverisë së Kosovës për kompaninë Bechtel-Enka, me arsyetimin e zgjatjes së afatit të Kontratës edhe për një vit për ndërtimin e autostradës Arbën Xhaferi. Kjo shumë bie ndesh me pohimet e zyrtarëve të qeverisë së kaluar, të cilët pohojnë se marrëveshja në parim, me kompaninë ka qenë 14.78 milion euro shtesë.

Që nga fillimi, realizimi i Kontratës i ka pasur vështirësitë e veta për shkak të planifikimit të keq të ish-qeverive, që ka sjellë si pasojë zgjatjen e punimeve edhe për një vit, si dhe kosto shtesë nga buxheti i shtetit. Sidoqoftë,qeveria aktuale ka miratuar një vendim që kostoja shtesë të jetë 53 milionë euro. Deri më tani as ministri Lekaj, e asnjë zyrtar tjetër i Qeverisë nuk ka arritur të shpjegojë sesi është arritur deri te kjo shifër. Për më tepër, nuk ka një material zyrtar në të cilin shpjegohet ndërtimi i kësaj kostoje,ku do të ishte e përfshirë edhe kompania konsulente Hill International, përgjegjëse për menaxhimin e kontratës së ndërtimit të autostradës në fjalë.

Kjo situatë në variantin më të mirë dëshmon se kemi të bëjmë me keqmenaxhim të parasë publike nga qeveria aktuale,poredhe nga ajo e kaluara,kurse në variantin më të keq këto janë indikacione të një rasti të korrupsionit në përmasa galopante. Ky është një rast tipik, ku prokuroria e shtetit në bazë të detyrës zyrtare do të duhej t’i fillojë hetimet menjëherë.

Lëvizja për Bashkim kërkon nga qeveria që urgjentisht të shpjegojë sesi u avulluan edhe 39 milionë euro shtesë dhe, nëse nuk arrin ta bëjë këtë, ajo duhet të japë dorëheqje për keqmenaxhim të parasë publike, thuhet në fund të komunikatës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme