Komuna e Prishtinës para pakë ditëve organizoi konferencën për investitorë, në të cilën thanë se për herë të parë në Prishtinë po ofrohet mundësia e investimeve me partneritet publiko-privat dhe përmes dhënies së tokës në shfrytëzim.
Kjo, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës është gënjeshtër, pasi që edhe më herët në Komunën e Prishtinës ka pasur realizime të tilla. Për më tepër LDK-ja disa projekte të ofruara nga kabineti Ahmeti po i sheh si riciklim i ish qeverisjes në kryeqytet.
Grupi i Këshilltarëve në Asamblenë e Prishtinës i ka rikujtuar, Shpend Ahmetit dhe vasalëve të tij partiak, se Komuna e Prishtinës në kohën e qeverisjes së saj nga kryetari Isa Mustafa, përmes partneritetit publiko-privat ka përfunduar projektin kapital të nënkalimit në lagjen “Pejton”, derisa në këtë periudhë 3-vjeçare të qeverisjes së ekzekutivit nga LVV, nuk është realizuar as edhe një projekt i vetëm kapital me interes publik.
Ndërkohe iniciative e marrë pas tri viteve nga Ahmeti, sipas LDK-së, po bëhet me shkasë ngase shumë shpejtë do të mbahen zgjedhjet në kryeqytet. “Meqë zgjedhjet lokale do të mbahen vitin e ardhshëm, ekzekutivi i Komunës së Prishtinës po ngarend për të bërë publike fillimin e realizimit të disa projekteve kapitale të vlerave të mëdha përmes partneritetit publiko-privat dhe dhënies së tokave të komunës në shfrytëzim investitorëve të mundshëm, të cilët do të fitojnë të drejtën e investimeve sipas kritereve që do të publikohen përmes konkursit publik kah fillimi i vitit të ardhshëm”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Grupi i Asamblistëve të LDK-së, në Kuvendin e Prishtinës.
“Sa për rikujtim, projekti për ndërtimi e parkingjeve nëntokësore ka filluar të zhvillohet qysh në vitin 2012, kur aso kohe, Komuna e Prishtinës pati shpallur konkursin për investime në hapësirën pranë Fakultetit Filologjik, prapa Hotel “Grand-it” dhe tek Sheshi “Adem Jashari”. Aso kohe, konkursi u publikua dy herë, por në të dy herët nuk u përzgjodh asnjë kompani, sepse nuk u plotësuan kriteret e konkursit dhe se ishin të papërgjegjshme”, ia ka rikujtuar LDK-ja Ahmetit.
Asamblistët e kësaj partie në kryeqytet po kërkojnë që projektet e mëdha për Prishtinën të dërgohen për debat në Kuvend.
“Shpend Ahmeti dhe Qeveria e tij në Prishtinës nuk bashkëpunuan asnjëherë me Kuvendin e Komunës, për të njoftuar atë për punën e ashtuquajtur “nëntëmujore” të kësaj qeverie, për përgatitjen dhe hartimin e projekteve ideore dhe organizimin e konferencës për investitorë, derisa një gjë e tillë është obligim ligjor i përcaktuar në nenin 58 pika j) të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale. “Për t’i realizuar këto projekte, qeveria e Komunës së Prishtinës dhe Shpend Ahmeti duhet të bashkëpunojnë me të gjitha grupet e interesit në Kuvend të Komunës dhe jashtë Kuvendit, me grupet profesionale dhe me qytetarët e komunës së Prishtinës, e jo vetëm me LVV-në dhe vartësit e saj. Në të vërtetë, projekte të tilla duhet të kalojnë nëpërmjet një procesi të konsultimi paraprak me të gjitha palët e interesit dhe veçanërisht në konsultim publik me qytetarë”.
Për më tepër LDK-ja ka theksuar se roli i Kuvendit për realizimin e projekteve të tilla, të vlerave të mëdha, duke shfrytëzuar pronën komunale, është i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për ekzekutivin, prandaj, sipas kësaj partie, mosbashkëpunimi dhe anashkalimi krijon dilema të mëdha dhe humb seriozitetin e institucionit të Kryetarit dhe Qeverisë për qasje në interes të zhvillimit të fushave përkatëse, për të mirën e qytetarëve të Komunës së Prishtinës.
“Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që Komuna e Prishtinës të vihet në shërbim të një partie, përkatësisht Lëvizjes Vetëvendosje, e cila Prishtinës i ka ofruar vetëm lotsjellës, shkatërrim dhe demolim, dëmtim të pasurisë publike dhe private, dhunë, humbje të të hyrave vetanake, mosshpenzim racional të buxhetit, mosinvestime në fushën e arsimit dhe kulturës, nepotizëm në të gjitha pozitat publike të shpallura, keqpërdorim të fondeve të subvencione, shkelje të rregullave të prokurimit publik (shih raportin e Auditorit për vitin 2015), zhagitje të procedurave për hartimin e dokumenteve hapësinorë komunale siç janë hartat zonale, si dhe shumë e shumë fusha tjera të nevojshme”, përfundon komunikata e LDK-së.