Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, i ka reaguar kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, i cili në seancën solemne Kosovë-Serbi nuk e përmendi presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, ndërkaq e përmendi emrin e veprimtarit kombëtar, Fehmi Agani.
Halimi ka theksuar se anashkalimi i presidentit historik nga fjalimet e liderëve politikë tregon vogëlsi.
“Anashkalimi i Presidentit historik, projektuesit të paqes dhe shtetit të Kosovës nga fjalimet e liderëve nuk tregon asgjë tjetër, pos vogëlsi. Figurat e rëndësishme e kontribuese për lirinë e pavarësinë e vendit, duhet t’i tejkalojnë inatet apo ideologjitë personale e partiake, duke e pasqyruar saktë të kaluarën tonë të përbashkët. Ndaj e shoh të pavend dhe ofenduese, që në fjalimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u përmend askund kontributi madhor i atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova”, ka shkruar Halimi në Facebook.”, ka deklaruar ajo.
Halimi ka thënë se historia nuk është plotësuese e dëshirave momentale të politikanëve.
“Historia nuk është përplotësuese e dëshirave momentale të politikanëve të rëndomtë. Ajo nuk mund të shërbejë si ideologji e interesave ditore. Harrimi i qëllimshëm i saj është përpjekje për ta manipuluar vetëdijen kolektive të një kombi. Diçka që nuk e toleron sidomos studimi i filozofisë. Ajo s’mund të rishkruhet. As të shtrembërohet dhe deformohet. Ajo duhet të njihet siç ka qenë. Të respektohet e promovohet si vlerë”, ka thënë ajo.