Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka votuar për kandidaturën e Avdullah Hotit për kryeministër të Qeverisë së re.
Kjo është bërë e ditur nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili përmes një letre ka falënderuar anëtarët e këtij Këshilli.
Mustafa tutje ka shtuar se nga 124 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm janë përgjigjur 117, 115 prej tyre kanë votuar për kurse dy janë shprehur kundër.
“Në bazë të kësaj, si kryetar i LDK-së konstatoj se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që Avdullah Hoti ta përcaktojë kandidat për kryeministër të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Mustafës.
Shkrimi i plotë i Isa Mustafës:
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,
Ju falënderoj për shprehjen e qëndrimit tuaj në letrën që ua përcolla më dt. 23 prill 2020.
Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, më 24 prill 2020 në ora 12:00, në pyetjen e shtruar: A e përkrahni propozimin e Kryesisë së LDK-së që z. Avdullah Hoti të përcaktohet kandidat për Kryeministër, nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 117 anëtarë të KP, prej tyre 115 janë shprehur për (Po), 2 janë shprehur kundër (Jo), abstenime nuk ka, dhe 7 nuk janë përgjigjur.
Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës VENDOSI që z. Avdullah Hoti ta përcaktojë kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës.
Me respekt,
Kryetari i LDK-së
Isa Mustafa