LDK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran – Qeveria Kurti po dëshiron të krijojë një super-ndërmarrje të kontrolluar shtetërore

Prishtinë | 22 Dhj 2023 | 14:02 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran, i cili u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, me votat e deputetëve të partisë në pushtet.

Deputeti Besian Mustafa dhe anëtari i Kryesisë, Berat Rukiqi, të cilët folën për Ekonomia Online dhe një medie tjetër, pasi e dorëzuan lëndën në Kushtetuese, thanë se Qeveria Kurti po dëshiron të krijojë një super-ndërmarrje shtetërore, e cila do të kontrollojë çdo pronë dhe çdo cep të ekonomisë së vendit. Dhe kjo, sipas tyre, bie në kundërshtim me Kushtetutën e cila garanton një ekonomi të tregut dhe konkurrencë të lirë.

Deputeti i LDK-së Besian Mustafa, tha se kjo qeveri duket se e ka në natyrën e saj të miratojë ligje që janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, dokumentin më të lartë juridik.

“Nuk është edhe çudi nga një parti politike që shpeshherë është deklaruar për mëdyshjet e saj edhe për mospranimin e shtetësisë së vetë Republikës së Kosovës. Prandaj sot në vazhdën e këtyre ligjeve kemi dorëzuar, edhe ne si LDK, lëndën tonë për të sfiduar kushtetutshmërinë e Ligjit për themelimin e Fondit Sovran”.

“Me Fondin Sovran, Qeveria po tenton të krijojë super-ndërmarrje shtetërore e cila do të kontrollojë çdo pronë, çdo cep të ekonomisë së vendit. E kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën, e cila u garanton qytetarëve të Kosovës një ekonomi të tregut dhe një konkurrencë të lirë”, theksoi Mustafa.

“Prandaj e konsiderojmë si jo të pranueshëm si ligj dhe do ta sfidojmë në Gjykatën Kushtetuese. Sapo dorëzuam argumentet tona dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese të kthejë përgjigje sa më shpejt”, tha ai.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, tha se nëse ky ligj nuk parandalohet rrezikon krejt sistemin ekonomik të vendit dhe më këtë e cenon rëndë konkurrencën e lirë në treg.

“Një ligj që krijon një monstrum juridik dhe një monstrum ekonomik në vend. Nëse zbatohet dhe nëse nuk parandalohet nga Gjykata Kushtetuese rrezikon krejt sistemin ekonomik të vendit dhe më këtë e cenon rëndë konkurrencën e lirë në treg dhe gjitha ato që janë si vlera të vendeve demokratike dhe vendeve që janë të orientuara drejt ekonomisë së tregut. Nëse e shikojmë nga ana e kushtetutshmërisë, duhet me kuptu shumë qartë se Kosova është njëra ndër vendet që e ka të normuar ekonominë e tregut si sistem ekonomik dhe ne i besojmë fuqishëm. Ky ligj e cenon rëndë këtë parim kushtetues”, tha Rukiqi.

Mbrëmjen e të premtes së kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan, Projektligjin për Fondin Sovran. 62 deputetët e pranishëm votuan pro këtij projektligji, derisa deputetët e opozitës e bojkotuan votimin.

Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

Sipas Qeverisë, Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së.

Të ngjashme