Efekte të menjëhershme ka dhënë takimi i së martës, i zhvilluar ndërmjet Isa Mustafës dhe Albin Kurtit. Pak orë pas, përfaqësues të partive që ata drejtojnë kanë koordinuar veprimet edhe në Kuvend, në përpjekjen për ta paralizuar punën e koalicionit qeverisës, i cili prej muajsh e ka humbur shumicën parlamentare, shkruan sot Koha Ditore.
Besa Gaxherri, deputete e Lidhjes Demokratike (LDK), dhe Salih Zyba, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kanë refuzuar të bëhen pjesë e një grupi pune për të ofruar rekomandime rreth përmbajtjes së Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Ata janë anëtarë të Komisionit parlamentar për mjedis, ku projektligji ndodhej në shqyrtim. Të dy kanë refuzuar edhe të votojnë për projektligjin në këtë forum të Kuvendit, nën arsyen se subjektet politike respektive nuk do të kontribuojnë në asnjë nismë qeveritare.
Mustafa, i cili e drejton subjektin kryesor në opozitë, LDK-në, ka lënë hasmëritë, kur të martën ka pritur në shtëpinë e tij kryetarin e LVV-së, Kurti.