Koha e zgjedhjeve lokale sa vjen e ofrohet dhe partitë politike vazhdojnë t’i shpallin kandidaturat e tyre për kryetarë të komunave përkatëse.
Komuna e cila vazhdon të jetë më e përfolura është kryeqendra, Prishtina.
Lidhja Demokratike e Kosovës e cila vite me radhë ishte partia lidere e kryeqytetit ka menduar disa emra për kryetarë të Prishtinës, por që ende nuk është vendosur emri i duhur.
Arban Abrashi i cili mban të njëjtën kohë dy poste institucionale, ka thënë se emri i tij i cili është përmendur edhe në medie nuk është vendosur nëse ai do jetë apo jo i zgjedhur i LDK-së për garën për Prishtinën.
Në një prononcim për Ekonomia Online Abrashi ka thënë se vendimet për kryetar të Prishtinës janë në fazën fillestare.
“Kanë qarkulluar shumë emra, edhe emri im ka qarkulluar edhe nëpër media, por që nuk ka ende një vendim. Jemi tek faza fillestare e konsultimeve”, ka thënë Abrashi.
Për LDK-në, Prishtina është më karakteristike me vetë faktin që kjo parti ka edhe pesë degë, të cilat edhe me votim të brendshëm vendosin për emrin e tyre përfaqësues si i pari i Prishtinës.
“LDK ende nuk ka vendosur posaçërisht për Prishtinë sepse është pak karakteristike janë pesë (5), degë edhe tek sa kanë filluar konsultimet nëpër degë kështu që propozimet e degëve, pastaj janë konsultimet në kryesi edhe marrim një vendim”, ka deklaruar Abrashi.
Ndryshe nga LDK-ja, Partia Demokratike e Kosovës ka emëruar për kandidat Lirak Çelaj i cili do jetë garues për Prishtinën.
Madje Çelaj ka dorëzuar postin e zëvendësministrit që të merret vetëm me fushatën e cila do filloj shumë shpejt.
Lëvizja Vetëvendosje e cila është edhe partia në pushtet për momentin në kryeqytet është thënë se do rikandidojë me kryetarin e tanishëm Shpend Ahmeti.
Ahmeti në një intervistë për Ekonomia Online pat deklaruar se do të rikandidohet për të shpëtuar kryeqytetin.
Ndërsa partitë e tjera si ajo e AAK-së, Nisma-s për Kosovën dhe të tjerat nuk kanë diskutuar ende për emra të cilët mund të jenë pjesë e kandidaturës për qendrën më të madhe në Kosovë.