Në LDK nuk ende një vendim unik, nëse do e votojnë ish bashkëpartiaken e tyre apo jo.
Vazhdimisht deklaruan se tre institucionet kryesore shtetërore do t’i konstituojnë sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Kështu koalicioni fitues i zgjedhjeve të 14 shkurti, qysh në fillim të kësaj jave, zgjodhi kryetarin dhe kryesinë e re të Kuvendit.
Vetëm pak orë pas, kjo e fundit formoi edhe qeverinë e re me kryeministër Albin Kurtin.
Por sfidë për Lëvizjen Vetëvendosje e listën Guxo në krye me Vjosa Osmanin po mbetet zgjedhja e presidentit, për të cilin post tashmë kanë një emër.
E gjitha po ndodhë pasi kandidati për presidente nuk ka numrat e nevojshëm për të zënë karrigen e shefes së shtetit. Janë partitë opozitare PDK e AAK që kanë konfirmuar se nuk kanë votë për Osmanin.
Kjo duket të jetë dhe arsyeja, se pse kryeministri Kurti dhe partia e tij, nuk po japin detaje se kur mund të thirret seanca.
Ndërkohë, partia e cila ka në dorë zgjidhjen e kësaj çështje, nuk ka ende një qëndrim zyrtar.
Edhe pse u bënë dy ditë pas takimit të parë, mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kandidates për presidente Vjosa Osmanit, e u paralajmërua dhe një i dytë, ende nuk dihet se kur pritet të mblidhen sërish.
Përderisa kryesia e re nuk ka një përgjigje, zyrtarë nga kryesia e kaluar e LDK-së, vlerësojnë se kjo parti duhet të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë Vjosa Osmanin.
Ndryshe mendon deputeti i LDK-së, Agim Veliu i cili vlerëson se është gabim i udhëheqjes së partisë së tij, që tërë presionin për zgjedhjen e presidentit ta marrë përsipër.
Këto komente i njëjti i bëri përmes një postimi në facebook, ku iu kundërpërgjigj akuzave të bashkëpartiakut të tij, Gazmend Muhaxheri.
Njëri ndër personat që kundërshtoi më zëshëm Vjosa Osmanin thotë se ende nuk ka vendosur nëse do e votojë apo jo ish bashkëpartiaken e tij.
Ambasadori amerikan, Philip Kosnet, një ditë më parë ka kërkuar që partitë opozitare nuk duhet të mungojnë në seancën për zgjedhjen e presidentit të ri, edhe nëse nuk votojnë për kandidaten në fjalë.
T7 ka kontaktuar, PDK, LDK dhe AAK-në, nëse të njëjtat do e marrin parasysh këtë kërkesë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.