Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mbajtur mbledhje komemorative për nder të jetës dhe veprës së deputetit Agim Kikaj, i cili vdiq dje.
Në këtë mbledhje që filloi me një minutë heshtje ishin të pranishëm familjarë, deputetë, ministra e veprimtarë.
Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për veprimtarin Agim Kikaj.
Ai tha se Podujeva dhe Kosova humbi një intelektual.
“Podujeva e Kosova ka humbur një njeri intelektual. Agimi është dhe mbetet shëmbëlltyrë për të gjithë ne, i përkushtuar për të gjithë njerëzit e Kosovës, dijetar që u shprehte me fakte e argumente. Agimi ishte kultivues i mençurisë e dijetar i drejtësisë. Agimi dinte që dijen e tij ta përcillte të të tjerët”, ka thënë Mustafa.
Mustafa tutje tha se Agimi ishte njeri i vendosur, i paepur në rrugë dhe i qëndroi besnik vendimeve politike.
“Ndarja e Agim Kikajt është humbje e madhe për Kosovën dhe proceset demokratike të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i Komunës së Podujevës, njëherësh nënkryetar i LDK-së, Agim Veliu tha se lajmi për vdekjen e Agimit ishte trishtim.
Agimit e quajti “burrë të madh të Llapit dhe të Kosovës”.
“Është e vështirë të gjej fjalët e duhura për mikun në rrugëtimin drejt shumë betejave. Ideali për lirinë e Kosovës na bashkoi herët në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në këtë rrugë Agim Kikaj ishte luftëtarë i paepur. E kishim bashkudhëtar besnik në shumë beteja dhe procese. Nuk u thye as kur e burgosën e as kur e torturuan. Ishte luftëtar i paepur për një Kosovë të lirë dhe demokratike”, ka thënë Veliu.
Altin Kika, djali i Agimit tha se e ka të vështirë të flet. Por shprehu vetëm një dëshirë.
“Bab fli i qetë sepse të gjitha ëndrrat do të bëhen realitet. LDK-ja po fiton”, tha ai.
Agim Kikaj ishte deputet në kuvendin e Kosovës, ndërsa pritej kandidimi i tij edhe këtë mandat.
Ndërsa vite më parë pati qenë edhe kryetar i Komunës së Podujevës.