Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar programin e tyre për teknologjinë informative, rininë dhe sportin, si shtylla të programit të LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Hoti tha se rinia e Kosovës është bërë pjesë e zhvillimeve globale në sektorin e teknologjisë.
“Përtej kësaj kompani të shumta në vend dhe po kryejnë shërbime për kompanitë ndërkombëtare. Prandaj e kemi ndarë në disa shtylla, e para ngritja e infrastrukturës teknologjike, fizike dhe soft. E dyta investimet në siguri kibernetike, e treta legjislacioni për siguri kibernetike dhe tjetra pantentimi i aplikacioneve”, tha ai.
Tutje, kandidati i LDK-së për kryeministër tha se digjitalizimi i shërbimeve publike, është më se e nevojshme.
” Do të funksionalizojmë të gjitha qendrat inovative nëpër regjione, që tashmë i kemi nisur. Ndërlidhja e këtij sektorit me arsimin është e nevojshme. Ta përshtatim kurrikulën arsimore. Nga ky vit, nga shtatori do të zhvillojmë shtatë shkolla digjitale në sektorin publik. Si dhe trajnime masive për mësimdhënësit”, tha ai.
Ndërsa sa i përket punës vullnetare, tha se në me të në qeverisje do t’u njihet njohja dhe promovimi i punës vullnetare.
Po ashtu ai theksoi se zhvillimi i sportit është kyç në ndërtimin e identitetit shtetëror të Kosovës.