Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka pritur në takim ish-pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku” të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, tha se kjo parti vlerëson lartë nismën e Batalionit “Atlantiku” për të kaluar në shtegun që kanë kaluar para 20-vjetësh.
“Sot pata kënaqësinë që së bashku m e disa kolegë pritëm batalionin “Atlantiku” me të cilët kaluam disa çaste të mira. Kujtimi e vlerësimi për veprën që ata e kanë dhënë gjatë luftës me ardhjen e tyre në Kosovë dhe për të gjithë ne, kemi marrë lajmin që Forcave të Armatosura të Kosovës i është bashkangjitur batalioni “Atlantiku”. Vlerësuam lartë nismën që e kanë ndërmarre që të kalojnë nëpër shtegun që kanë kaluar para 20-vitesh për të ardhur në Kosovë dhe për ta dhënë kontributin e tyre për vendin”, tha Veliu.
Veliu shtoi se faktet e Betejës së Koshares nuk mund të ndryshohen pasi që ajo mbetet prej betejave më të lavdishme të Kosovës.
“Deklaratat e politikanëve ne nuk i ndalim por faktet historike nuk mund të fshihen as të ndryshohen ai është një realitet që ka ndodhë dhe atë e vlerëson gjithë Kosova pasi vepra e koshares ka qenë prej betejave më të lavdishme të Kosovës”, shtoi ai, raporton Ekonomia Online.