Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se është bërë kërkesë që seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit që ishte paraparë për sot në orën 11:00 lidhur me rastin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq , të mbahet nesër në orën 14:00.
Sipas Hotit, seanca e sotme nuk është mbajtur sepse Kryesia e Kuvendit nuk është mbledhur për shqyrtim të kësaj kërkese.
“Sot në orën 11:00 është dashtë të mbahet seanca e jashtëzakonshme për skandalin e deportimit jo ligjor të gjashtë shtetasve turq sipas kërkesës të Grupit Parlamentar të LDK-së, mbështetur edhe nga dy grupe të tjera parlamentare. Kryesia e Kuvendit nuk është mbledhur për të proceduar me këtë kërkesë dhe si rezultat seanca nuk mund të mbahet sot”, ka shkruar Hoti, përcjell kp.
Ai ka shtuar se pret që kryeparlamentari Kadri Veseli të respektojë normat e rregullores së Kuvendit dhe vullnetin e 40 deputetëve dhe të mbledh sa më parë Kryesinë e Kuvendit për ta caktuar seancën.