Grupi i Këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, në një konferencë për media, kanë adresuar disa çështje për siç thonë ata, dështimet e qeverisjes komunale në mirëmbajtjen e sinjalizimit horizontal dhe vertikal në rrugët, parkingjet dhe hapësirat tjera të Komunës së Prishtinës.
Gjatë kësaj konference, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në kuvendin komunal Agim Gashi, ka thënë se njëra ndër dështimet e radhës të qeverisë së kryetarit Shpend Ahmeti është edhe mirëmbajtja e sinjalizimit horizontal dhe vertikal në rrugët, parkingjet dhe hapësirat tjera të komunës së Prishtinës.
Bazuar në Ligjin për Sigurinë në Komunikacion, sipas Gashit, Komuna është përgjegjëse për mirëmbajtjen e sinjalizimit horizontal dhe vertikal në të gjitha rrugët lokale, dhe në hapësirat tjera që bien në kompetencë të saj.
“Shumë rrugë të qytetit, e sidomos ato të pjesës rurale, që nga vitet 2012 dhe 2013 nuk janë mirëmbajtur në këtë aspekt. Mirëmbajtja e sinjalizimit (zëvendësimi i sinjalistikës vertikale, aty ku ajo mungon ose dëmtohet dhe i asaj horizontale) është obligim i përditshëm dhe ligjor sepse reflekton në sigurinë jetës së qytetarëve në komunikacion dhe të mirave material të tyre”, ka thënë mes tjerash Gashi.
Bazuar në Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin, mosofrimi i këtij shërbimi, sipas Gashit, ngritë shkallën e rrezikshmërisë në rrugët tona, pengon lëvizjen normale të këmbësorëve dhe automjeteve, bie ndesh me standardet ndërkombëtare dhe se drejtpërsëdrejti konsiderohet shkelje ligjore dhe e drejtave të njeriut.
“Gjatë vitit 2015, Komuna e Prishtinës nuk ka kontraktuar asnjë kompani për mirëmbajtjen e sinjalizimit, si rezultat i pakujdesisë dhe keqmenaxhimit edhe pse i ka pasur të planifikuara 200.000 Euro”, ka thënë më tej shefi i asamblistëve të LDK-së së Prishtinës, Agim Gashi.
Më tej, ai ka thënë se gjatë vitit 2016, Komuna e Prishtinës ka lidhur një kontratë me një kompani për mirëmbajtjen e sinjalizimit, “por sasia e kontraktuar ka qenë aq e vogël, sa që nuk i ka përmbushur kërkesat as për së afërmi”.
“Kjo do të thotë se edhe në këtë vit rrugët e Komunës së Prishtinës janë pa mirëmbajtje në aspektin e sinjalizimit horizontal dhe vertikal”, shtoi ai.
Sipas informative që posedon LDK, Komuna tani ka përsëritur shpalljen e tenderit për sinjalizimin horizontal dhe vertikal të rrugëve, “por sa shihet në përshkrim të projektit, koncentrimi është bërë vetëm në pjesën urbane duke e anashkaluar pjesën rurale”.
“Po ashtu dua t’ju njoftoj se sinjalizimi horizontal nuk mund të realizohet gjatë sezonit dimëror, por vetëm gjatë sezonit veror dhe kjo punë që po bëhet në Komunën e Prishtinës kësisoj nuk do koment”, ka theksuar Gashi.
Shefi i Asamblistëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, ka thënë se Komuna e Prishtinës është e obliguar që rrugët dhe hapësirat përkatëse t’i mirëmbajë gjatë plot 24 orëve dhe gjatë12 muajve të vitit “pa i krijuar vetes komoditet si në këto dy vitet e fundit kur rreth një vit e gjysmë rrugët nuk u mirëmbajtën e si rezultat i kësaj pune të keqe dhe sjellje të papërgjegjshme po cenohet siguria e qytetarëve”.
“Standardet e sigurisë në komunikacion bazohen në Ligjet që e rregullojnë këtë fushë dhe këto standarde vlejnë njëjtë në të gjitha rrugët, pa marrë parasysh a janë të pjesës urbane a rurale. Komuna është e obliguar që këto standarde t’i aplikojë dhe të krijojë kushte më të volitshme në mënyrë që të ndikojë që siguria në komunikacion të jetë sa më e lartë dhe në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës”, u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Agim Gashi.