Përvoja e keqe e LDK-së në bashkëqeverisje me PDK-në do të bëjë që brenda LDK-së të ketë rezistencë të madhe për një koalicion eventual me PAN-in, vlerëson analisti politik, Donik Sallova, në një bisedë për Ekonomia Online.
Sallova, madje, parashikon që një koalicion i tillë do ta shkatërronte LDK-në.
“Unë besoj se për shkak të përvojës së keqe të LDK-së në bashkëqeverisje me PDK-në dhe për shkak të mënyrës se si PDK-ja e prishi koalicionin me LDK-në për të cilën gjë ata nuk ishin fare dakord unë besoj se do të ketë rezistencë të madhe brenda LDK-së për një koalicion eventual me PAN-in. Dhe nëse eventualisht do të ketë struktura brenda për brenda LDK-së që do të jenë të orientuara për një koalicion me PAN-in unë besoj se do të ketë përçarje të LDK-së dhe faktikisht futje të kësaj partie në një fazë përfundimtare të shkatërrimit”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.
Sallova ka thënë se rezultati i zgjedhjeve është befasues dhe bazuar në këtë, sipas tij, mund të ketë edhe komplikim të situatës pasi që PAN-i me çdo kusht do të synojë formimin e qeverisë.
“PAN-i ka një rënie drastike në mbi 100 mijë vota dhe një rritje të rreth 100 mijë vota të një partie politike siç është Vetëvendosja, dhe kjo krejt ka bërë që vota e zgjedhjeve të 11 qershorit të lexohet si votë për ndryshim, e cila përveç tjerash, do të thotë, na sjellë një situatë ku shumica parlamentare do të jetë me gjasë në krahun opozitar dhe jo në krahun e partisë që ka dalë si partia e parë në këto zgjedhje. Mbi këtë bazë ne mund të kemi pak edhe komplikim të situatës në kuptimin që koalicioni PAN do të synojë me çdo kusht formimin e qeverisë, duke qenë edhe ajo vetë e përfshirë me një koalicion pas zgjedhor”, ka thënë Sallova.
Sipas tij, rezultati eventual i PDK-së konkretisht i PAN-it do të bëjë që LDK-ja dhe AKR-ja të ngurrojnë të hyjnë në koalicion me këta të fundit.