Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka votuar sot iniciativën e ndryshimit të ligjit për kufijtë administrativë të komunave, me qëllim bashkimin e pjesës veriore me atë jugore.
Për këtë nismë ka votuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Safet Kamberi nga LDK në Mitrovicë, ka thënë se hapi i sotëm nga ky Kuvend ka qenë pak i ngutshëm.
“…por gjithsesi, qytetarët e Mitrovicës, të gjithë jemi të një zëri kur flitet për bashkimin e qytetit”, ka thënë Kamberi për Info Magazine në një lidhje direkte nga Mitrovica.
“Prandaj edhe LDK i ka dhënë mbështetje kësaj iniciative edhe pse besojmë se kjo nuk do të ketë sukses. Ne e kemi dhënë sinjalin e kjartë se e mbështesim integrimin e plotë të qytetit të Mitrovicës”.
“Jemi skeptik për suksesin, tash i mbetet Qeverisë të procedojë më tutje”.
Kamberi tutje ka thënë se pas zhvillimeve të fundit ne veri, Qeveria duhet të jetë më sy çelur për atë pjesë të vendit.
“Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë më vigjilente për situatën në veri, sepse konsideroj se është rrezik sidomos pas largimit të kryetarëve të komunave veriore – këto janë sinjale shqetësuese”.