Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kritikuar qeverinë për 100 ditëshin e parë të punës, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi tha se Qeveria dështoi në dialogun me Serbinë.
Sipas saj, Mjekiqi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i ka ndryshuar qëndrimet qysh nga ardhja në pushtet.
“LVV gjatë kohës sa ishte në opozitë udhëhiqej nga parimi jo negociata por vetëvendosje. Ajo çfarë kemi parë këtyre ditëve është transformim i skajshëm nga jo-negociata në dialog pa kushte”.
“Doli që dialogu është prioriteti numër një e jo ashtu siç thoshte që është i shtati. Qeveria iu qas këtij procesi pa plan e pika konkrete”.
“Qeveria e Kosovës bëri përpjekje për tu ikur obligimeve që burojnë nga marrëveshja e Uashingtonit përmes interpretimit të kësaj marrëveshje si juridikisht të pavlefshme”.
Kritika pati edhe për menaxhimin me pandeminë dhe sipas Izet Sadikut, nga komiteti për Shëndetësi, mungesa e vaksinimit rrezikon një valë të re me Coronavirus.
Ai tha deri tani kemi vetëm 2% i qytetarëve të vaksinuar.
“Ne deri sot kemi vetëm 2% të qytetarëve të vaksinuar, kurse nga fillimi vetëm 9,4% kanë arritur të marrin dozën e parë të vaksinës”.
“Qëllimi i vaksinimit në botë janë afatet e shkurta kohore e jo të gjata. Vendet e rajonit edhe pse i kane vaksinuar për kohë të shkurtër qytetarët kanë pasur probleme. Kjo mungesë e vaksinimit ne e parashohim se do të ketë mundësi që të na godas një valë e re e pandemisë”.
Deputeti Shkëmb Manaj ka përmendur edhe zyrtarët e VV-së, që janë me aktakuza. Manaj shtoi se Qeveria ka filluar t’u ofrojë strehë familjarëve, aktivistëve nëpër institucione.
“Në 100 ditëshin e saj kjo qeveri ka filluar të jap strehë aktivistëve dhe mbështetësve të saj në institucione. Një parti që fiton pushtetin absolut duhet të ketë kuadro profesionale për ta përmbushur planin Qeverisë”.
“Një shqetësim tjetër për ne është që ministra dhe deputet, pjesën më të madhe të punës së tyre e kaluan në gjykata me aktakuza. Vetëm në vendin tonë ndodh që ministrja e Drejtësisë ta ushtroj këtë detyrë derisa shkonte edhe në gjykatë”.
Besian Mustafa kritikoi Qeverinë edhe për mosmbështetjen ndaj qytetarëve për humbjet e shkaktuara nga pandemia, raporton EO.
“Qeveria ka ndarë vetëm 6 milionë euro për Gastronomi. Ndërmarrjet mbijetuan falë Pakos Ekonomike të gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020. Punë për vete e familjarët e tyre, por jo për qytetarët e vendit tonë”.
Ish-ministrja Vlora Dumoshi ka kritikuar qeverinë për moszhvillim të kulturës, rinisë dhe sportit.
“Në rrafshin e kulturës, rinisë dhe sportit, ministri merr vendim për ta anuluar konkurset programore pa asnjë kriter. Tash jemi në korrik dhe e shohim se jeta kulturore dhe trashëgimore është shumë e varfër. Nuk kemi asnjë promovim të Kosovës jashtë vendit”.
“Jemi në vitin olimpik në Tokyo në gara ndërkombëtare dhe ministri merr vendim që të zvogëloj buxhetin. Kjo është skandal i madh, mbi të gjitha kontratat që kanë qenë për investime kapitale në sport janë ndërprerë”.