Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se po pret konfirmimin nga Qeveria e Kosovës nëse arritja e marrëveshjes për të cilën kumtoi kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nënkupton tërheqje prej Ligjit të “Raporti Bulliqi”.
Lumir Abdixhiku, deputet i LDK-së, i ka thënë portalit Koha.net se vetëm në atë rast mazhoranca i ka edhe votat e kësaj partie për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi.
“Ne ende nuk kemi marrë konfirmim zyrtar nga Qeveria për këtë marrëveshje mes tyre. Jemi në pritje. Por e bëjmë të qartë se vetëm në rast se kanë pranuar propozimin tonë ata do të mund të llogarisin edhe në 27 votat e deputetëve tanë”, ka thënë Abdixhiku.
Ndryshe, me një fotografi të përbashkët mes tij, Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacollit, kreu i Kuvendit e i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se është arritur marrëveshja, duke përmendur edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës si pjesë të saj.
“Sapo kemi arritur konsensusin për të ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi. Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv. Ky bashkëpunim duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera të rëndësishme për vendin”, ka thënë Veseli.