LDK prezanton Gazmend Muhaxherin si kandidat për kryetar të Pejës, Abdixhiku: Fitore që në raund të parë

Prishtinë | 27 Sht 2025 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një tubim elektoral në Pejë ka prezantuar zyrtarisht Gazmend Muhaxherin si kandidat të LDK-së për kryetar të komunës, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku theksoi se Peja ka qenë gjithmonë bastion i LDK-së dhe do të mbetet pararojë e fitores edhe në këto zgjedhje.

“Nuk ka sallë tjetër në Kosovë që jep dridhje si kjo sallë. Nuk ka vend tjetër në Kosovë që e përshkruan më mirë besimin, qëndrueshmërinë dhe forcën e një populli si kjo sallë. Këtu, gjithherë forca e qytetarëve është kthyer në fitore, këtu çdo brohoritje është kushtrim për Kosovën.Prandaj edhe sot, nga Karagaçi e nga Peja, kushtrojmë fort, kushtrojmë qartë, kushtrojmë zëshëm: Fitore dhe asgjë më pak se kaq. Fitore për Gazin që në raund të parë! Peja është qyteti që kurrë nuk është dorëzuar.Është qyteti që kurrë nuk është lëkundur. Është qyteti që gjithmonë ka zgjedhur rrugën e drejtë. Peja ka qenë gjithmonë me LDK-në, Peja ka qenë gjithmonë me Rugovën, Peja ka qenë gjithmonë me demokracinë, me lirinë, me shtetin. Dhe kështu do të jetë edhe sot, edhe nesër, edhe gjithmonë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Duke e quajtur Muhaxherin “kryetar kampion”, Abdixhiku vlerësoi punën e tij në tri mandatet e kaluara, duke e cilësuar si model të qeverisjes lokale dhe simbol të përkushtimit e rezultateve konkrete

“Në krye të këtij qyteti, për tri mandate me radhë, qëndron një njeri që nuk ka nevojë për prezantim. Një njeri që e ka bërë Pejën model të qeverisjes lokale. Një njeri që ka fituar çdo betejë me punë, me dinjitet dhe me vizion. Ky njeri është Gazmend Muhaxheri – kryetari kampion i Pejës. Gazmend Muhaxheri është simbol i punës, i përkushtimit dhe i fjalës së mbajtur. Është njeriu që nuk premtoi kurrë më shumë se ç’bënte, por gjithmonë bëri më shumë se ç’premtonte. Është kryetari që e ka transformuar qytetin tonë nga themeli, që e ka kthyer Pejën në një emër të njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë kufijve të saj.​ Është kryetari që e bëri Pejën adresë të respektuar për vizitorë, për biznese, për kulturë, për sport e për turizëm. Është njeriu që i dha këtij qyteti fytyrën moderne që e shohim sot në çdo hap, në çdo lagje, në çdo shesh të Pejës sonë”, theksoi ai.

Ai theksoi se LDK garon me një ekip profesionistësh që ofrojnë qeverisje të ndershme dhe vizion të qartë.

“Mjafton të ecësh nëpër sheshet e reja, mjafton të shohësh investimet në Pejë e Rugovë, mjafton të vizitosh shkollat e çerdhet, mjafton të kalosh nëpër lagjet e rindërtuara për të kuptuar se çfarë do të thotë qeverisja e ndershme dhe punëtore. Mjafton të shohësh Pejën, për ta parë të gjithë punën e Gazmend Muhaxherit. Sepse puna e tij nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, as për broshura të mbushura. Puna e tij është vetë qyteti. Është Peja që flitet, që shihet, që ndihet. Dhe kjo është trashëgimia që do të mbetet edhe për brezat që vijnë. Peja flet vetë. Gazmend Muhaxheri flet me punën e tij. Kjo është fuqia e LDK-së. Dhe Gazi sot nuk është vetëm. Përkrah tij, është lista e fortë e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Asamblenë Komunale të Pejës. Një listë e mbushur me njerëz të ndershëm, me profesionistë, me qytetarë të përkushtuar që nuk hyjnë në politikë për privilegj, por për shërbim. Një ekip që është garancia e qeverisjes së mirë. Një ekip që është garancia e fitores”, shtoi kryetari i LDK-sw.

Ai përmbylli fjalimin me thirrjen për fitore që në raundin e parë, duke e cilësuar Pejën si qytet që gjithmonë ka zgjedhur rrugën e drejtë.

“Peja është qytet që sot ka pamje tjetër. Është qytet që frymon ndryshe. Është qytet ku çdo familje e di dallimin mes fjalës së mbajtur dhe mashtrimit politik. Për tri mandate me radhë, qytetarët e Pejës e kanë parë çdo ditë çfarë do të thotë qeverisje serioze; cfarë do të thotë të mbahen premtimet e fjalët, cfarë do të thotë të bëshë punë. Sepse këtu, në Pejë, puna është standardi i vetëm. Peja është qytet i sportit. Është qytet i kulturës. Është qytet i turizmit. Është qytet i rinisë. Është qytet i diasporës që kthehet me krenari dhe sheh ndryshimin. Është qytet i grave dhe burrave që punojnë çdo ditë me dinjitet. Është qytet që ka rritur gjenerata që nuk janë dorëzuar kurrë.Çdo votë për LDK-në në këto zgjedhje është votë për unitet. Është votë për përgjegjësi. Është votë për Kosovën e integruar, Kosovën e zhvilluar, Kosovën që e duam. Prandaj këto zgjedhje janë vendimtare për secilin prej nesh – dhe Peja, si gjithmonë, do të jetë pararojë e fitores”, pwrfundoi ai.

Të ngjashme