Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), procesin e rivotimit në Komunën e Istogut e konsideron si proces tejet të rregullt. Nëpërmes një deklarate publike, LDK falënderon qytetarët e Istogut dhe organet kompetente për pjesëmarrje, përkatësisht organizim të mirë të procesit zgjedhor në këtë komunë.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson lart mbështetjen e qytetarëve të Istogut për kandidatin e saj z. Haki Rugova, duke u nisur edhe nga fakti se përballë tij ishin në një koalicion të “natyrshëm” të gjitha partitë tjera politike që ishin pjesë e garës në raundin e parë të zgjedhjeve në këtë komunë.
LDK kërkon nga organet përgjegjëse që me profesionalizëm dhe paanshmëri t’i përfundojnë të gjitha procedurat e parapara ligjore për shpalljen dhe certifikimin e rezultatit me qëllim që të përmbyllet sa më parë ky proces i tejzgjatur zgjedhor në Komunën e Istogut që ndodhi pikërisht për shkak të manipulimeve të identifikuara nga LDK e të konfirmuara nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme, të kandidatit Gani Dreshaj dhe subjektit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, me shqetësim të thellë është duke përcjellë presionin e jashtëzakonshëm që është duke iu bërë organeve të pavarura kushtetuese siç janë KQZ dhe PZAP, pjesëtarët e të cilave madje janë kërcënuar edhe “me burg” nga partia e Kryeministrit Haradinaj dhe nga pjesëtarët e caktuar të kësaj qeverie. Lidhja Demokratike e Kosovës këto veprime i konsideron si të papranueshme duke i vlerësuar edhe si veprime që cenojnë rëndë rendin kushtetues dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të njoftoj qytetarët e Kosovës në përgjithësi, ata të Komunës së Istogut në veçanti, që nuk do të lejojë me asnjë kusht, që përmes presionit të hapur që po i bëhet organeve të pavarura kushtetuese nga ana e Qeverisë që udhëhiqet nga të njëjtit partnerë koalicioni që ishin bashkë edhe në mbështetje të kandidatit të AAK-së në Istog, të cenohet integriteti i procesit zgjedhor, proces ky që sipas të gjitha vlerësimeve, ishte i rregullt, i lirë e demokratik”.
Sido që të jetë, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë proces duke e dhënë kontributin e saj brenda kornizave ligjore që, procesi zgjedhor në këtë komunë i cili u vlerësua si plotësisht i rregullt nga të gjithë, deri në daljen e rezultatit, të mos devalvohet me prova të fabrikuara, me dëshmitar të rrejshëm dhe me pretendime të pabazuara për kinse parregullsi gjatë procesit zgjedhor.