Sot mbushën njëzet e shtatë vjet që nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nisma për themelimin e një partie doli nga shkrimtarët Jusuf Buxhovi, Ali Aliu, Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja dhe Xhemail Mustafa. Pas shumë bisedash, ata angazhuan koordinator të Këshillit nismëtar Jusuf Buxhovin, i cili mori përsipër kontaktimin me intelektualët e tjerë dhe hartimin e programit dhe statutit të partisë.
Kjo nismë u përkrah dhe u nxitu nga intelektual të kohës si Ibrahim Rugova, Ajri Begu, Basri Çapriqi e Ramiz Kelmendi, të cilët me nënshkrimet e tyre, pranuan të bëhen anëtarë të Këshillit nismëtar për themelimin e partisë.
Kështu, në listën e nismëtarëve u gjendën edhe Fehmi Agani (që dha ndihmesë të konsiderueshme për versionin përfundimtar të tekstit të Programit të partisë), pastaj aktivistët Bujar Bukoshi, Zenel Kelmendi, Zenun Çelaj, Jusuf Bajraktari, Mustafë Radoniqi, Hysen Matoshi e Neshet Nushi, për t’u forcuar, më në fund, me akademikët dhe shkencëtarët si: Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Dervish Rozhaja, Anton Çeta dhe Zekiria Cana.
Kuvendi themelues u vendos të mbahej më 23 dhjetor 1989 në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku në emër të Këshillit nismëtar dhe të Kryesisë së punës, Programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Statutin e saj e lexoi Jusuf Buxhovi.
Në këtë Kuvend, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjedh dr.Ibrahim Rugova, sekretar- Jusuf Buxhovi, anëtarë të Kryesisë: Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja.
Me rastin e 27-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i LDK-së, njëherësh dhe kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa me anëtarët e kryesisë së LDK-së, do të bëjnë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova. Kurse, në orën 12:00, në Hotel “Emerald”, do të shënohet 27-vjetorin e themelimit të saj.