Grupi i këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës përmes një konference për medie ka paraqitur raportin e Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë.
Ata kanë kritikuar Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë për keqmenaxhim të shkollave.
Shefi i grupit parlamentar të asamblistëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Agim Gashi, ka thënë se në shkollën fillore “Dardania” janë humbur më shumë se 90 orë mësimore në muaj.
“Bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Arsimit kanë humbur shumë orë mësimi si rezultat i mungesave dhe si rezultat i lëvizjes së punëtorëve. Nga pushimi i lehonisë dhe të tjera, për të cilat drejtoria ka kompetenca, vetëm për një javë ka humbur 20 orë mësimi në javë dhe 90 orë mësimi në muaj janë humbur në shkollën fillore ‘Dardania’ si rezultat i mungesave të arsimtarëve dhe komuna nuk merret me zëvendësimin”, ka thënë Gashi, në një prononcim për Ekonomia Online.
Ai gjithashtu ka thënë se ka edhe keqpërdorime me të punësuar dhe sipas tij, në listat e të punësuarve ka shumë njerëz të cilët janë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërsa i pyetur për banesat kolektive të cilat gjenden në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, e që sipas drejtorit të Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, përfitues kanë qenë kryesuesi i Kuvendit Komunal, Halim Halimi dhe disa asamblistë të partive opozitare, ai ka thënë se “kryetari Shpend Ahmeti ka gënjyer”.
“Unë kërkoj nga kryetari Shpend Ahmeti që të ma jep çelësin e banesës, se ai ka thënë që edhe Agim Gashi ka banesë të përfituar nga banesat kolektive. Ata nuk më kanë fajësuar vetëm mua, por edhe kryesuesin Halimi, e edhe disa asamblist të tjerë. Por për largimin e tyre vendimet nuk i merr as kryeministri, as presidenti, as kryetari i komunës, por krejt kjo shkon me votën e Kuvendit Komunal. Fuqinë për krejt këtë proces e ka Kuvendi Komunal”, ka thënë Gashi për Ekonomia Online.