Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka në plan ta përfillë afatin e Behgjet Pacollit të Aleancës Kosova e Re, i cili ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje e LDK-së të arrijnë një marrëveshje politike për formim të institucioneve.
Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, ka thënë se partia e tij nuk e ka në plan të nisë takimet me zyrtarë të Vetëvendosjes – të paktën jo në këtë fazë.
Ai ka thënë se konsultat do të mund të nisin vetëm pasi koalicioni PAN të dështojë në formimin e institucioneve.
“Në këtë fazë nuk e shoh të nevojshme me bisedu me një subjekt, i cili nuk e ka të drejtën e formimit të institucioneve. Me fillu me bisedu kjo mund të keqkuptohet. Ne po luajmë rol konstruktiv. Ne po i bëjmë ftesë koalicionit të parë që ka dalë me u konsultu me të gjitha partitë tjera”, ka thënë Veliu për Indeksonline.
I pyetur nëse AKR do të mund të largohet nga koalicioni LAA, kryetari i Podujevës ka thënë se Pacolli i bën llogaritë e veta, megjithatë ka vlerësuar se do të ishte mirë që ai të qëndrojë në koalicion.
Duke e komentuar deklaratën e Pacollit se nuk mund ta mbajë të bllokuar Kosovën, Veliu ka thënë se Pacolli nuk është ai që po e mban peng, por as nuk mund ta zhbllokojë atë.
“Pacolli nuk e di që po e mban peng Kosovën. Ai nëse e mban peng nuk është mirë. Nuk është në pozicion me mbajt peng, ose me zhblloku. Nuk po shoh që është zhbllokim i situatës lëvizja e Pacollit me një shumicë kaq të dobët. Nuk e di çfarë vendimesh mund të merren”, ka shtuar ai.