Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, vizitoi sot Aeroportin e Gjakovës, ku u prit nga Vlora Gojani, menaxhere ekzekutive e këtij aeroporti.
Me këtë rast, Lekaj ka paralajmëruar se brenda gjashtë muajsh pret që ky aeroport të operacionalizohet.
Gjatë bisedës që zhvilluan, Gojani e njoftoi ministrin Lekaj me gjendjen e tashme të këtij aeroporti dhe me sfidat e viteve të fundit, me të cilat është përballur dhe vazhdon të përballen.
“Sot ishim në vizitë në Aeroportin e Gjakovës, një aset shtetëror, një aset i cili do të ketë impakt pozitiv në zhvillimin e Gjakovës dhe të rajonit, mirëpo më e rëndësishmja është se në fokus do të jetë qytetari ynë. Ne kemi shumë bashkatdhetarë që janë në botën perëndimore dhe që pikë kryesore e kanë Gjakovën, andaj mendoj se Qeveria e Kosovës do të bëjë më të mirën e mundshme që të operacionalizohet ky Aeroport dhe që të jetë në shërbim të qytetarëve, të vendit dhe në shërbim të komunikimit me vendet e tjera”, tha Lekaj, në një prononcim për gazetarët.
“Në ditët në vijim ne do të marrim qëndrim se si do të trajtohet dhe në çfarë gjendje do të jetë ky aeroport pas gjashtë muajsh”.
“Unë mendoj se do të vijnë ditë të mira për të, sepse edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Haradinaj, është i fokusuar në atë që të bëhet diçka pozitive në këtë aeroport, e kur ekziston përkrahja e kryeministrit dhe e Qeverisë së Kosovës, atëherë suksesi nuk do të mungojë”, shtoi kreu i MI-së.
U”në i premtova kryeshefes ekzekutive se ne do të bëjmë më të mirën e mundshme për këtë aeroport dhe të jenë të bindur, Gjakova dhe Kosova, se ky aeroport do të jetë në shërbim të së mirës së Kosovës”.
“Unë shpresoj se brenda gjashtë muajsh do të kemi një situatë krejt tjetër, një situatë pozitive që çon në operacionalizimin e këtij aeroporti. Pra, unë mendoj që pas gjashtë muajsh për këtë aeroport do të ndodhë diçka pozitive”, tha ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me rastin e vizitës së sotme në Aeroportin e Gjakovës.