Komuna e Junikut ka mbajtur dëgjim publik me qytetarët e saj për projektin e autostradës së Dukagjinit, e cila lidhë dhe kalon nëpër pesë komuna, Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, raporton Ekonomia Online.
Në këtë dëgjim mori pjesë edhe ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se kjo autostradë do të ketë ndikim pozitiv për qytetarët që do ta shfrytëzojnë atë.
“Nuk ka ndjenjë më të veçantë kur ne projektojmë bashkërisht projekte me qytetarët dhe qytetarët janë pjesë e projektit që ka ndikim pozitiv edhe në qasjen e tyre edhe në shkurtimin e kohës edhe në zhvillim ekonomik”.
“Edhe ne si Qeveri e Kosovës në këtë rast si MI jemi nderu që sot na jepet mundësia ta prezantojmë projektin më madhor apo autostradën e Dukagjinit, e cila është e gjatë 91-93 km dhe përshkon komuna nga Istogu, Peja, Deçani, Gjakova, Prizreni dhe lidh korridoret që quhen pan evropiane”, tha Lekaj.
Ndërsa, kryetari i komunës së Juniku, Agron Kuçi, tha se ky projekt zë vendin më të rëndësishëm për komunën që udhëheqë, sa i përket zhvillimit ekonomik që do të ketë dhe lidhjen me qendrat e tjera të mëdha.
“Për ne autostrada e dukagjinit paraqet me të vërtetë një çështja shumë të rëndësishme. Me autostradën e Dukagjinit Juniku afrohet me të gjitha qendrat e rëndësishme ekonomike të Kosovës”, u shpreh Kuçi, raporton EO.
Sadri Jahaj shef i njësitit të projektit, ka thënë se kjo autostradë do të jetë sipas parametrave evropianë.
“Projekti autostradës së dukagjinit ka fillu që disa muaj. Janë shqyrtuar korridoret e mundshme kah mund te kalojë autostrada. Autostrada do të jetë e parametrave evropianë”, tha Jahaj.
Ndërkaq, qytetarët pyetën për hekurudhat, për të cilat ministri Lekaj tha se dy projekte të tilla së shpejti do të realizohen.
“Sa i përket zhvillimit të hekurudhave i kemi prioritet dy segmenteve që është ai në drejtim të Shkupit që javën e ardhshme do nënshkruhet diku 87 milionë euro dhe segmenti tjetër që është në drejtim të Lëshakut 130 milionë dhe këto dy segmente që lidhin dy korridoret besoj se do përfundojnë deri në vitin 2023”, tha Lekaj.
Aty u dhanë edhe propozime të tjera, që kjo autostradë të ofron më shumë qasje për zonën e Dukagjinit.