Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq tha se leja për fluturim e avionit, i cili ka ateruar në Turqi është kërkuar për biznes privat me vetëm një udhëtar, raporton Ekonomia Online.
Edhe pse të gjitha intervistimet janë zhvilluar pa praninë e medieve, Lekaj ka kërkuar prezencën e tyre gjatë raportimit. Sipas tij, asnjë departament dhe asnjë zyrtar shtetëror nuk e ka kontaktuar më herët lidhur me këtë ekstradim.
“Me ministrin e infrastrukturës është kërkuar leja për fluturim dhe Sipas kërkesës se parashtruar qëllimi fluturimit ka qenë biznesor. Sipas informatave në bazë të dhënave shihet se ky aeroplan ka arrit saktë në ora 09:03. Ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse për lëshimin e lejeve të fluturimit. Ministria ka lëshuar leje. Kompania ajrore ka kërkuar leje biznese me vetëm me një pasagjerë”.
“Shkeljet dhe masat disiplinore, nëse vërtetohet që kompania ka shkelur rregulloren, ministria e Infrastrukturës mund të marr masa disiplinore. Ndërkaq sanksionet për vepra penale janë paraparë me ligj. Takimi i përbashkët i kabinetit tim me Aviacionin Civil pas rastit në fjalë. Me 31 mars kemi kërkuar dhe jemi njoftuar lidhur me operimet ajrore të datë 29 mars. Me 17 prill kemi shtruar kërkese për informim në detaje”.
“Me 12 prill autoritet e ministrisë janë takuar me autoritetet e aviacionit civil. Hetimet gjithëpërfshirës të gjithë këtij rasti, veprimet tona përfundojnë këtu për këtë rast. Si ministri nuk kemi asnjë informacion se kush është ndodhur në aeroplan. Ne jemi përgjegjës vetëm a i përmbush kriteret e caktuara për fluturim. Asnjë departament e asnjë zyrtar shtetëror nuk me ka kontaktuar më herët lidhur me këtë ekstradim”.
Lekaj tha se ata kanë kaluar nga hapësira VIP e aeroportit. Ai ka paralajmëruar se po sa ta kenë dokumentacionin në pozicion do të fillojnë procedurat gjobitëse.
“Ne e dimë që është keqpërdor kjo aviokompani dhe kanë depërtuar qytetarë pa dijeninë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kemi kërkuar që nga data 25 prill përgjigje nga ministria e Punëve të Brendshme mirëpo nuk na është kthyer. Ne nuk mund të nisim raport e as hetim nëse nuk merret vendim nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nuk ka pas raste më herët për keqpërdorim të lejes së dhënë”.
“Posa që të kemi dokumentacion ne do të nisim procedura gjobitëse. Ata kanë kaluar në hapësirë VIP të aeroportit dhe përgjegjës për këta është policia kufitare. Ne nuk kemi dokument bazë që e vërteton që është keqpërdor as nga ana filmike sepse atë e posedon ministria e Punëve të Brendshme”.
“Ne nuk mund të fillojmë procedurë gjyqësore ndaj kompanisë pa pasë material bazë. Nuk kam pasë informacione dhe vetëm nga mediet kam marr vesh. Nëse vërtetohet që është keqpërdor është përgjegjësi e ministrisë tonë të ja ndaloj fluturimin dhe ta dënoj me 1 milion euro”.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se nuk është e kuptueshme mos komunikimi mes ministrive, raporton EO.
“Si është e mundur që keni bërë kërkesë në ministri të Punëve të Brendshme dhe nuk keni marrë përgjigje. Logjika ime e thotë se kanë mund me ndodhë edhe shumë raste të tilla dhe prapë të mos ketë përgjigje”.
“Si është e mundur që ju nuk keni kërkuar nga kryeministri ose ai nga ju për përgjigjeje nga ministria e punëve të brendshme”.
Hajdar Beqaj, deputet i PDK-së, ka kërkuar që të mos përzihet politika në këtë hetim të rëndësishëm, sipas tij.
“Qëllimi jonë është që të zbardhet çështja. Po shihet që është mashtrim meqenëse është kërkuar për biznes dhe pastaj keqpërdoret. Duhet t’i lëmë kalkulimet politike në këtë rast dhe të mos e përziejmë politiken me hetime”.
Komisioni po ashtu do të intervistojë edhe ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit të Departamentit të Aviacionit Civil, Ismail Berisha, drejtorin e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredini dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkelzen Sopjani.
Javën e kaluar Komisioni hetimor ka intervistuar edhe ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi.
Pas kësaj mbledhja, kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla pati thënë se gjatë kësaj periudhe hetimore kanë dëshmi të mjaftueshme për shkelje ligjore dhe tejkalim të kompetencave.
Sipas tij, ka tendenca që akuzat, përgjegjësitë dhe faji të hidhen nga një institucion në tjetrin.
Policia e Kosovës kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.
Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke. Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”, raporton EO.
Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.
Në fund të muajit tetor, Komisioni Parlamentar për hetimin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq të deportuar nga Kosova në Turqi, nisi punën me intervistimin e zyrtarëve policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, deri më tani janë intervistuar tre zyrtarë policorë të aeroportit.