Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti karshi ShBA-së.
Përmes një statusi në Facebook, Lekaj ka thënë se Kurti beson në totalitarizëm, në barazinë e klasave dhe në cungimin e të drejtave themelore.
Tutje, Lekaj ka thënë se Kurti nuk ishte as më shumë e as më pak se një diktator në tentativë, andaj dhe u detyruam që ta heqim.
Statusi i plotë:
Të nderuar qytetarë, mbrëmë dhe sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës na konfirmuan për të disatën herë se qëndrojnë në përkrahje të plotë pranë popullit të Kosovës dhe sovranitetit të republikës tonë. Por, ka një njeri që nuk u beson atyre.
Ky është ish kryeministri Kurti, sepse ai nuk beson në vlerat demokratike amerikane. Nuk beson në ekonominë e lirë të tregut. Nuk beson në liritë dhe të drejtat e njeriut.
Këto tri elemente janë shtyllat e ShBA-ve. Pikërisht në këto tre shtylla ai ka pikëpamje të ndryshme. Ai beson në totalitarizëm, në barazinë e klasave dhe në cungimin e të drejtave themelore. Ai ishte as më shumë e as më pak se një diktator në tentativë, andaj dhe u detyruam që ta heqim.
Sot gjatë ditës kam pyetur veten disa herë çfarë do të ndodhte me Kosovën sikur në procesin e Rambujesë, me Kosovën të udhëheqte zoti Kurti. Me siguri nuk do ta kishim ende lirinë. Çfarë do të ndodhte me Kosovën sikur në procesin e Dialogut të Vienës edhe aty të ishte zoti Kurti, ai nuk do e pranonte planin e Ahtisarit. Nuk do të kishim as pavarësinë.
As në vitin 1999 as në vitin 2008 e as në vitin 2020 zotit Kurti nuk do ia lemë në dorë raportet e shenjëta Kosovë – Amerikë sepse këto raporte nuk mund t’i udhëheqë një mashtrues konspiracionist i konfirmuar.